Vendosni fjalën kyçe....

Protesta qytetare hyn në ditën e 44-të, vijojnë thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike



Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 44-t, duke u shndërruar në një nga mobilizimet më të gjata qytetare të viteve të fundit në Shqipëri.

Prej 44 ditësh, qytetarët mblidhen çdo mbrëmje përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndryshime politike dhe mbajtjen e përgjegjësive nga drejtuesit e vendit.

Edhe gjatë protestës së mbrëmshme, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet që kanë shoqëruar tubimet që nga dita e parë, si: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”.

Pas tubimit përpara Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit. Ata ndaluan fillimisht përpara Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas përpara selisë së Partisë Demokratike, ku brohoritën “Opozitë e shitur”, duke akuzuar opozitën se është bërë pjesë e të njëjtit sistem politik që, sipas tyre, qytetarët po kundërshtojnë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.