
Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vite burg për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”.
Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “FAST”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pas shkëmbimit të informacioneve mes strukturave FAST Albania dhe FAST Italy.
Në pranga ka rënë shtetasi Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor nga shërbimet e Sektorit për Kërkimin “FAST Albania”, në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Apelit të Napolit e ka dënuar Nikollin në nëntor të vitit 2021 me 13 vite burgim për shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim, sipas legjislacionit penal italian.
Nga hetimet e autoriteteve italiane rezulton se 48-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion gra të trafikuara në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Ai akuzohet gjithashtu se ushtronte dhunë ndaj viktimave për t’i mbajtur nën kontroll dhe për të rritur përfitimet nga aktiviteti kriminal.
Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e Bekim Nikollit drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore italiane.