Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qarkun e Shkodrës, ku një person është vrarë me armë zjarri në zonën e Prekalit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, ku viktima është gjetur pa shenja jete brenda automjetit. Mësohet se ai është qëlluar me armë zjarri, ndërsa rrethanat dhe motivet e krimit mbeten ende të paqarta.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë së Shkodrës kanë mbërritur në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet e para hetimore, duke administruar provat në vendin e ngjarjes dhe duke punuar për zbardhjen e plotë të krimit.
Më vonë, Policia identifikoi viktimën si shtetasin Aleksandër Koçeku.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se:
“Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi Aleksandër Koçeku. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.”
