Vendosni fjalën kyçe....

“Do të qëndrojmë deri në dorëheqjen e Ramës”/ Aktivisti: S’ka rrugë e infrastrukturë, por 4.2 mln euro shkojnë për Kanye West


Protesta e 42-të para Kryeministrisë vijoi edhe me fjalën e aktivistit Arbër Lleshi, i cili deklaroi se lëvizja qytetare nuk do të ndalet deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ai tha se protestat kanë sjellë rezultate, por sipas tij beteja nuk ka përfunduar.

“Vetëm në dy javët e para, Parlamenti Europian e bëri të qartë se ligji që masakron zonat e mbrojtura duhet të anulohet. Kemi ende shumë për të bërë dhe duhet të jemi këtu deri në dorëheqjen përfundimtare të qeverisë më të korruptuar që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Bashkimi i shqiptarëve kundër dipolit politik është më i fortë se kurrë dhe po u kujtojmë të gjithëve padrejtësitë që janë bërë ndaj nesh. Ne jemi rritur mes gëzhojash. Mos të harrojmë Gërdecin, 21 Janarin dhe aferat korruptive,” u shpreh ai.

Aktivisti akuzoi qeverinë për neglizhimin e infrastrukturës dhe përdorimin e fondeve publike për koncertin e reperit amerikan Kanye West.

“Infrastruktura është lënë përgjysmë. Në fshatin tim rruga nuk është bërë prej 40 vitesh, ndërkohë 4.2 milionë euro shkojnë për një fashist. Nëse Rama nuk ka pasur dijeni për vjedhjet, duhet të largohet për paaftësi; nëse ka pasur dijeni, duhet të largohet po njësoj. Në të dyja rastet, ai nuk është më kryeministri ynë. Ministrat dhe deputetët nuk japin llogari. Parlamenti është bllokuar me hekura si burg dhe qytetarët duhet të kenë mundësi të hyjnë e të takojnë deputetët,” deklaroi Lleshi.