Mijëra qytetarë po marshojnë drejt Kryeministrisë në kuadër të protestës së 42-të kundër qeverisë, duke kërkuar me thirrje “Edi Rama jep dorëheqjen”.
Protestuesit po e akuzojnë kryeministrin për korrupsion dhe po kërkojnë largimin e tij, si edhe të asaj që e cilësojnë si klasën politike 36-vjeçare, për të cilën thonë se ka punuar kundër interesave të qytetarëve dhe të vendit.
Në protestë po marrin pjesë edhe fermerë dhe ish-minatorë, të cilët po ngrenë shqetësime për gjendjen ekonomike dhe mënyrën se si, sipas tyre, janë përdorur fondet publike.
Ata shprehen se në shumë raste qytetarët janë lënë pa mbështetje pas fatkeqësive natyrore, ndërsa qeveria ka akorduar 4.2 milionë euro për koncertin e reperit amerikan Kanye West.
Protestuesit po mbajnë pankarta me mesazhe si: “Shteti s’ka Pet Scan, Rama ka 4.2 mln euro për koncertin”, “Rilindja 2.0? Llogaridhënia 0.0!” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi në përdorimin e parave publike.
