Vendosni fjalën kyçe....

SHBA/ Gazetarët e New York Times thirren nga drejtësia për çështjen e Air Force One, ngrihen shqetësime për lirinë e shtypit


Departamenti amerikan i Drejtësisë ka lëshuar thirrje zyrtare (subpoena) ndaj disa gazetarëve të New York Times pas publikimit të artikujve mbi shqetësimet e sigurisë që lidhen me avionin e ri presidencial Air Force One, dhuratë nga Katari.

Zhvillimi është cilësuar nga organizatat për lirinë e medias si një përshkallëzim i përplasjes së administratës së presidentit Donald Trump me shtypin.

Sipas New York Times, gazetarët Julian E. Barnes, Eric Lipton, Tyler Pager dhe Eric Schmitt janë urdhëruar të dëshmojnë javën e ardhshme para një jurie federale në Manhattan, përcjell AP.

Disa prej thirrjeve janë dorëzuar nga agjentët federalë në banesat e gazetarëve. Mediat amerikane raportojnë se vendimi u mor pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes drejtorit të FBI-së, Kash Patel, dhe zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë.

“Paraqitja e agjentëve federalë në pragun e shtëpisë së gazetarëve duhet të trondisë ndërgjegjen e çdo amerikani që beson te Kushtetuta dhe te liria e shtypit që ajo mbron,” deklaroi avokati i New York Times, David McCraw, duke e cilësuar veprimin një kërcënim serioz ndaj medias së lirë.

Edhe Komiteti i Reporterëve për Lirinë e Shtypit reagoi ashpër. Presidenti i organizatës, Bruce D. Brown, tha se kjo përfaqëson një tjetër hap në “luftën e Trump ndaj medias”, duke theksuar se thirrjet ndaj gazetarëve bien ndesh me praktikën shumëvjeçare të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës reporterët merren në pyetje vetëm si mjet i fundit, pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë e tjera hetimore.

Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se gazetarët nuk janë objekt i hetimit dhe se synimi është identifikimi i personave që kanë nxjerrë informacione të klasifikuara.

“Për ta bërë të qartë, reporterët nuk janë objektivi; objektivi janë ata që kanë rrjedhur informacion të klasifikuar. Ne vlerësojmë rolin e rëndësishëm të medias, por kemi gjithashtu detyrimin të hetojmë çdo shpërndarje të paautorizuar të sekreteve që prekin sigurinë kombëtare,” thuhet në reagimin zyrtar.

Rasti lidhet me raportimet mbi avionin e ri presidencial, të cilin administrata amerikane e pajisi me sisteme të reja sigurie me një kosto prej rreth 400 milionë dollarësh.

Megjithatë, presidenti Trump përdori një model më të vjetër të Air Force One gjatë kthimit nga samiti i NATO-s në Turqi, çka ngriti pikëpyetje mbi gatishmërinë dhe sigurinë e avionit të ri.