Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Last Bet” në Tiranë, policia godet tre raste të lojërave të fatit, dy të arrestuar dhe dy në kërkim



Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, duke goditur tre raste të dyshuara të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë zbuluar tre ambiente ku dyshohet se zhvilloheshin aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 makineta, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe 5 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë 2 persona, janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin G. Zh., 22 vjeç, ndërsa shpallën në kërkim shtetasit M. Zh., 50 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç. Sipas policisë, këta persona dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient me qira në rrugën “Aleks Çaçi”, ku u gjetën dy makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.

Ndërkohë, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin G. S. (J.), 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin që administronte në zonën e Bathores u gjet një makinetë dhe një telefon celular që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.

Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori për shtetasit S. G., 21 vjeç; O. C., 19 vjeç; R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç. Gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, atyre iu gjetën telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rasteve.