Vendosni fjalën kyçe....

“S’dorëzohemi deri në largimin e Ramës” – Mbyllet protesta e 41-të


Protesta kundër qeverisë vijoi edhe këtë të premte në Tiranë, duke shënuar ditën e 41-të të tubimeve të zhvilluara nga qytetarët që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Pjesëmarrësit zhvilluan një marshim në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke kaluar edhe në rrugën e Kavajës dhe duke u ndalur për disa momente pranë zonës së njohur si “Rruga e Ambasadave”.

Gjatë lëvizjes së tyre, protestuesit shoqëruan marshimin me thirrje kundër qeverisë, mes të cilave “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jep dorëheqjen”.

Pjesëmarrësit ngritën akuza ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si të korruptuar dhe duke kërkuar ndryshime politike. Sipas tyre, protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Gjatë tubimit, aktivisti Visar Dalipi iu drejtua protestuesve përmes një megafoni, duke u bërë thirrje personave që pretendojnë se janë përballur me kërcënime të kërkojnë ndihmë pranë përfaqësive diplomatike.

“Të gjithë ata që ndihen të kërcënuar dhe janë kërcënuar, duhet të bëjnë kërkesën në ambasadë”, deklaroi ai.