Vendosni fjalën kyçe....

Trump premton heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë


Presidenti amerikan Donald Trump premtoi të martën se do të heqë sanksionet e njohura si CAATSA, të vendosura ndaj Turqisë disa vite më parë, duke sinjalizuar një ndryshim të madh në marrëdhëniet dypalëshe gjatë një takimi të nivelit të lartë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

“Do t’i heqim sanksionet…Ne nuk duam të vendosim sanksione ndaj miqve”, u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi kokë më kokë me Erdoganin, në kuadër të samitit të kësaj jave të NATO në kryeqytetin turk, Ankara.

Presidenti amerikan tha se po koordinohet me sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth për të finalizuar vendimin.

Megjithëse Trump sinjalizoi një hap përfundimtar, sipas ligjit amerikan një president nuk mund t’i japë fund përgjithmonë sanksioneve CAATSA pa ndjekur procedura të caktuara në Kongres.

Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj Turqisë në vitin 2020 sanksionet sipas ligjit Countering America’s Adversaries Through Sanctions Act (CAATSA), pas blerjes nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Trump hap derën për rikthimin e Turqisë në programin F-35

Duke folur për programin e avionëve luftarakë F-35 Lightning II, Trump tha se do të “merrte patjetër në konsideratë” rikthimin e shitjeve për Ankaranë, duke e përshkruar Turqinë si “shumë më besnike se vendet e tjera”.

Trump e quajti avionin luftarak F-35 “avionin më të mirë deri tani” dhe sugjeroi se Uashingtoni ka një “detyrim” për të mirëmbajtur pajisjet ushtarake që u shet partnerëve.

“Është një vendim që do ta marrim”, tha ai.

Trump minimizon çështjen e raketave ruse S-400

Presidenti amerikan gjithashtu hodhi poshtë shqetësimet lidhur me blerjen nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, një çështje që prej kohësh ka qenë pengesa kryesore për rikthimin e Ankarasë në programin F-35.

Trump argumentoi se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Turqisë është “më e mirë, ndoshta se kurrë më parë”.

Blerja e S-400 nga Turqia kishte shkaktuar një përplasje të madhe me Uashingtonin, pasi SHBA-ja argumentonte se sistemi rus mund të komprometonte sigurinë e teknologjisë së avionëve F-35 dhe të krijonte probleme brenda arkitekturës së mbrojtjes së NATO-s.

Vendimi i Trump për të shqyrtuar heqjen e sanksioneve shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane ndaj Ankarasë dhe mund të hapë rrugën për një afrim më të madh ushtarak dhe diplomatik mes dy vendeve, shikruan AA.