Vendosni fjalën kyçe....

Familja Schumacher fiton 200 mijë euro kompensim në skandalin e intervistës së AI


Familja e legjendës së garave të Formula 1, Michael Schumacher ka fituar një kompensim prej 200,000 eurosh për një intervistë të krijuar nga AI, të publikuar nga një revistë gjermane, tha një zëdhënëse e familjes për Reuters të mërkurën.

Vitin e kaluar, botimi gjerman Die Aktuelle botoi një foto të Schumacher në ballinën e edicionit të prillit me një mbishkrim që lexonte “Michael Schumacher: Intervista e parë!” Më poshtë, me shkronja më të vogla, media shtoi se “duket krejtësisht e vërtetë edhe pse nuk është “.

55-vjeçari nuk është shfaqur në publik që kur pësoi një dëmtim të rëndë të trurit në një aksident me ski në vitin 2013. Vendndodhja aktuale e Schumacher nuk dihet, por ka pasur spekulime në media se ai banon në shtëpinë e familjes në Zvicër.

Biseda e rreme që në pamje të parë mund të ngatërrohej lehtësisht si e vërtetë, përfshinte thënie të tilla si “jeta ime ka ndryshuar plotësisht që nga aksidenti” dhe “Isha aq i plagosur saqë qëndrova për muaj të tërë në një koma artificiale”. Në përfundim të intervistës, u zbulua se të gjitha përgjigjet e Schumacher ishin krijuar nga një chatbot i AI.

Menjëherë pasi publikimi doli në raftet   e gazetashitësve, familja e Schumacher, e cila parapëlqen të ruajë privatësi të rreptë për gjendjen e tij dhe kufizon qasjen tek ai te të afërmit e tij, njoftoi planet për të ndërmarrë veprime ligjore kundër grupit mediatik Funke, që boton revistën Die Aktuelle.

Grupi i kërkoi falje familjes dhe shkarkoi kryeredaktoren e Die Aktuelle Anne Hoffmann. Shefja Bianca Pohlmann e quajti shkrimin “pa shije dhe mashtrues”, duke shtuar se ai nuk i plotëson standardet e gazetarisë.