
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar sot seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nuk është paraqitur në sallën e gjyqit.
Veliaj ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Edhe në seancën e mëparshme kryebashkiaku dhe mbrojtësi i tij nuk ishin të pranishëm.
Sipas informacioneve, Veliaj ka refuzuar të qëndrojë në kafazin e qelqtë gjatë procesit, kërkesë që i është rrëzuar nga gjykata. Po ashtu, trupa gjykuese ka refuzuar edhe kërkesën për transmetim të drejtpërdrejtë të seancave.
Kryebashkiaku ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt të vitit të kaluar, ndërsa përballet me akuzat e ngritura nga SPAK.
Në të njëjtën çështje, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka kërkuar pezullimin e gjykimit, duke argumentuar se ndodhet me leje lindjeje pas ardhjes në jetë të fëmijës.
“Më 29 qershor kam lindur me cezarian dhe s’mund të komunikoj lirshëm me avokatin”, është shprehur Xoxa.
Avokati i saj ka kërkuar pezullimin e procesit, duke argumentuar se gjendja shëndetësore dhe raporti mjekësor e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen e saj në seancë.
Nga ana tjetër, SPAK ka deklaruar se nëse gjykata e vlerëson të arsyeshme, mund të vendosë ndarjen e çështjes së Ajola Xoxës nga të pandehurit e tjerë.
Avokati i Xoxës, Maks Haxhia, tha se mbrojtja pret vendimin e gjykatës, ndërsa theksoi se dispozitat ligjore lejojnë pezullimin e gjykimit në raste të tilla.
“Nuk kërkojmë pezullimin e të gjithë procesit derisa të përfundojë leja e Xoxës”, sqaroi Haxhia.
Gjykata pritet të shprehet mbi kërkesat e palëve gjatë vijimit të seancës.