Vendosni fjalën kyçe....

“Albchrome dhe sindikata e vjetër kërcënojnë minatorët me pushim nga puna nëse nuk rikthehen në radhët e tyre”-SMBB


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka denoncuar sërish rastin ku minatorët kërcënohen me pushim nga puna nga kompania Albchrome dhe sindikata e vjetër nëse nuk rikthehen për tu rianëtarësuar me këta të fundit.

Sindikata e vjetër e Taf Kolecit dhe Kol Nikollës, në bashkëpunim me kompaninë AlbChrome, kanë nisur një presion të pashembullt ndaj minatorëve, duke i kërcënuar deri në pushim nga puna nëse nuk rianëtarësohen në radhët e tyre. Kjo fushatë terrori ka nisur me qëllim që kjo sindikatë lakejsh të legjitimojë negocimin e kontratës së re kolektive me kompaninë. Kjo sindikatë e korruptuar, që gjithmonë ka mbrojtur interesat e pronarëve dhe të partisë, sot po vazhdon aleancën kundër minatorëve”-shkruan SMBB në rrjetet sociale.

SMBB më tej i bën thirrje minatorëve që të qëndrojnë të bashkuar dhe të përballen me kërcënimet.

Postimi i plotë:

ALBCHROME DHE SINDIKATA E VJETËR KËRCËNON MINATORËT ME PUSHIM NGA PUNA NËSE NUK BËHEN PALË ME TA

Sindikata e vjetër e Taf Kolecit dhe Kol Nikollës, në bashkëpunim me kompaninë AlbChrome, kanë nisur një presion të pashembullt ndaj minatorëve, duke i kërcënuar deri në pushim nga puna nëse nuk rianëtarësohen në radhët e tyre. Kjo fushatë terrori ka nisur me qëllim që kjo sindikatë lakejsh të legjitimojë negocimin e kontratës së re kolektive me kompaninë. Kjo sindikatë e korruptuar, që gjithmonë ka mbrojtur interesat e pronarëve dhe të partisë, sot po vazhdon aleancën kundër minatorëve!

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u bën thirrje anëtarëve të saj, por edhe gjithë minatorëve të tjerë:

Vëllezër minatorë! Kujtoni arsyet përse e morëm nismën për ngritjen e sindikatës së re. Kushtet e kontratës kolektive të negociuar nga sindikata e vjetër po na e pijnë gjakun, po na e rrisin normën teksa pagat ngelen qesharake për mundin tonë.

Vëllezër minatorë! Kur morëm hapin e guximshëm të ngritjes së sindikatës së re, e dinim se nuk kishte për të qenë e lehtë. Katër prej nesh tashmë janë pushuar nga puna: Eltoni, Beqiri, Behari dhe Aliu. Tashmë ju të gjithë po kërcënoheni nëse nuk i nënshtroheni kushteve ku ndodheni. A ia vlen të ulim kokën për një vend pune me një pagë qesharake krahasuar me mundin dhe rrezikun që marrim përsipër?

Vëllezër minatorë! E vetmja rrugëdalje nga situata ku ndodhemi është të qëndrojmë të bashkuar. Nëse jemi të përçarë, ata do vazhdojnë t’na terrorizojnë për t’na shtrydhur edhe pikën e fundit të djersës dhe gjakut. Të bashkuar, me të vërtetë rrezikojmë të përballemi padrejtësisht me shumë kërcënime, por pa rrezikuar nuk mund të fitojmë asnjëherë të drejtën dhe dinjitetin që na takon.

Vëllezër minatorë! Vetëm nëpërmjet organizimit, bashkimit dhe rezistencës mund të tregojmë forcën tonë dhe mund të përmirësojmë kushtet në të cilat ndodhemi. Nëse heqim dorë nga SMBB, jemi duke hequr dorë nga buka e fëmijëve. Le të tregojmë burrërinë e bulqizakëve që nuk janë trembur as nga pushtuesit, e jo më nga maskarenjtë e sotëm.

Ne duhet të jetojmë me dinjitet, e jo të zhytemi për gjithë jetën në baltë!

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *