
Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi se PD mbështet protestën qytetare, por nuk synon ta përvetësojë apo ta përçajë atë, duke theksuar se deputetët dhe anëtarët e partisë kanë marrë pjesë si qytetarë.
Berisha u shpreh se grupi parlamentar i PD-së do të vazhdojë bojkotin e seancave plenare, por jo të komisioneve parlamentare, derisa, sipas tij, qeveria e Edi Rama të paraqesë për shqyrtim amendamentet e depozituara nga deputetët demokratë në mbështetje të kërkesave të protestuesve.
“Qëndrimi ynë ndaj protestës ka qenë; protesta nuk është e jona, nuk bëjmë asnjë përpjekje për ta akaparuar apo përçarë, do të marrim pjesë me anëtarë dhe qytetarë.
Kanë marrë pjesë deputetët, por si qytetarë, po ashtu edhe anëtarët tanë. I mbështesim fuqishëm për 5 kërkesat. Nuk jemi dakord kurrsesi me ndonjë slogan, por nuk kemi hapur polemika, pasi nuk duam të shpërqëndrojmë kurrsesi nga protesta.
Kjo është protesta më madhështore që ka njohur Shqipëria. Mbështesim protestën.
Kuvendi i PD, shpalli moton “Ripërtëritje”, dhe garanton demokratët se vlera do të jetë drejtim themelor i joni. Kemi deklaruar modernizimin si vlerë themelore.
Instituti amerikan ka përgatitur për ne një platformë të shkëlqyer, e cila do të modernizojë partinë. Kemi përgatitur vizionin e Partisë Demokratike dhe s’mund të ketë pushime për këtë parti, ka betejë dhe vetëm punë.
Kemi shpallur mospjsëmarrje në seancat plenare dhe jo në Komisione derisa Edi Rama të zbatojë paraqitjen e amendamenteve që kanë paraqitur deputetët tanë për kërkesat e protestuesve.
Mbajtja e tyre pa i paraqitur është fyeje e rëndë dhe dhunim i të drejtave Të vendosë Kryesia, t’i diskutojmë dhe t’i paraqesim. Është detyrimi më minimal”, tha Berisha.