Vendosni fjalën kyçe....

NATO përgatit marrëveshje armësh prej dhjetëra miliardë dollarësh para samitit në Ankara



Udhëheqësit e NATO-s pritet të prezantojnë të martën në Ankara marrëveshje të reja të mbrojtjes me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, në një përpjekje për të treguar se vendet europiane po rrisin investimet e tyre ushtarake, në përputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshjet do të shpallen gjatë një forumi të industrisë së mbrojtjes të NATO-s, përpara mbërritjes së Presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të takohet me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe liderët e tjerë të aleancës në kuadër të samitit të NATO-s, përcjell Reuters.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendet europiane kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, pjesërisht për shkak të kërcënimit të Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, por edhe si pasojë e presionit të vazhdueshëm nga Trump.

“Po krijojmë një aleancë të qëndrueshme, ku Shtetet e Bashkuara e dinë se kemi një marrëveshje të drejtë”, tha Rutte në Ankara, një ditë para nisjes së samitit.

Sipas tij, vendet europiane të NATO-s dhe Kanadaja kanë rritur shpenzimet reale të mbrojtjes me rreth 90 miliardë dollarë gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin 2024, duke arritur një total prej më shumë se 570 miliardë dollarësh.

Trump ka kritikuar prej kohësh vendet europiane për varësinë e tyre nga mbështetja ushtarake amerikane përmes NATO-s. Në muajt e fundit, ai ka përsëritur akuzat se aleatët europianë nuk po bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen e përbashkët.

Zyrtarët europianë thonë se kanë përmbushur pjesën më të madhe të angazhimeve të tyre ndaj aleancës, duke lejuar përdorimin e bazave dhe hapësirës ajrore nga SHBA-ja, pavarësisht mosdakordësive politike për disa operacione ushtarake amerikane.

Ndërkohë, Uashingtoni ka njoftuar reduktime të disa kapaciteteve ushtarake amerikane në Europë dhe ka nisur një rishikim gjashtëmujor të pranisë së tij ushtarake në kontinent.

Detajet e marrëveshjeve të armëve janë mbajtur të fshehta përpara njoftimit zyrtar, por disa vende kanë bërë të ditura disa nga planet e tyre.

Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Dilan Yesilgöz, deklaroi se Holanda do të prezantojë marrëveshje dhe plane me vlerë mbi 3 miliardë euro, përfshirë bashkëpunime me Belgjikën për mbrojtjen ajrore dhe me Britaninë e Madhe për anijet ushtarake.

Ndërkohë, NATO pritet të njoftojë zëvendësimin e flotës së vjetër të avionëve të vëzhgimit AWACS të prodhimit amerikan me avionë suedezë Saab GlobalEye.

Samiti i NATO-s pritet të zhvillohet nën presionin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, tensioneve me Rusinë dhe debatit mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në sigurinë europiane.