
Prej 37 ditësh vijon protesta qytetare në Shqipëri, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, ndërsa zhvillimet janë komentuar edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik.
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, ka vlerësuar protestat paqësore si pjesë të standardeve dhe vlerave europiane, duke theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe angazhimit qytetar në proceset demokratike.
Gjatë një prononcimi publik, Bergner tha se çdo aktivitet qytetar që përputhet me vlerat e Bashkimit Europian është i mirëpritur, veçanërisht kur lidhet me zbatimin e ligjit, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të integrimit.
“Duhet të vlerësojmë ata që zbatojnë vlerat e BE-së në përditshmëri, por edhe ata që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e natyrës. Çdo aktivitet i shoqërisë civile që është në përputhje me këto vlera është i mirëpritur. Protestat e dhunshme nuk janë pjesë e vlerave të BE-së”, deklaroi ai.
Ambasadori shtoi se përgjegjësia për çdo incident dhune mbetet ende objekt diskutimi dhe vlerësimi.
Komentet u bënë gjatë një aktiviteti përkujtimor në Kolonjë, në ceremoninë e zhvilluar për viktimat e masakrës së Borovës, në 83-vjetorin e ngjarjes.
Ai theksoi rëndësinë e mësimeve historike dhe vlerave demokratike si garanci për të mos përsëritur tragjedi të së kaluarës.
“Toleranca, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë mënyra për të parandaluar që historia të përsëritet”, u shpreh Bergner.
Ceremonia përkujtoi masakrën e 6 korrikut 1943, kur forcat gjermane vranë 107 civilë në fshatin Borovë, një nga ngjarjet më të rënda të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Ambasadori theksoi se kjo ngjarje mbetet një kujtesë e dhimbshme si për familjet shqiptare, ashtu edhe për Gjermaninë, ndërsa nënvizoi mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.