
Rreth 300 banorë të krahinës së Nikaj-Mërturit, së bashku me aktivistë mjedisorë, kanë protestuar kundër një projekti të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) në lumin e Mërturit, në Tropojë, ku po ndërtohen prita malore dhe është devijuar rrjedha e lumit.
Sipas banorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, punimet kanë nisur pa konsultim paraprak dhe pa transparencë publike, ndërsa në zonë nuk janë vendosur tabela informuese mbi natyrën e ndërhyrjes.
Ata thonë se për rreth tre javë, mjete të rënda kanë gërryer mbi një kilometër të shtratit të lumit, duke shkaktuar shqetësime serioze për dëmtim të pakthyeshëm të ekosistemit dhe ndryshim të rrjedhës natyrore të ujit.
Zona e Nikaj-Mërturit, e shpallur Park Natyror Rajonal që prej vitit 2014, është kthyer në një pikë debati mes nevojës për ndërhyrje infrastrukturore dhe mbrojtjes së mjedisit.
Pas tensioneve në terren, mjetet e punës janë larguar si masë paraprake për të shmangur përshkallëzimin e situatës me banorët.
Banorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat derisa projekti të rishikohet ose të anulohet, duke kërkuar ndërhyrje institucionale dhe sqarim të plotë për ndikimin mjedisor të tij.