Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla në samitin Parlamentar për Krimenë: Shqipëria objekt i sulmeve kibernetike për shkak të angazhimit kundër agresionit rus në Ukrainë


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila mori pjesë në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, gjatë fjalës së saj theksoi se Shqipëria së bashku me SHBA-në po udhëheqin qëndrimet dhe veprimet në mbrojtje të Ukrainës.

Shqipëria, në cilësinë e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurisë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, është bashkë-penë-mbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve për mbrojtjen e Ukrainës.

Lufta në Ukrainë na kujtoi se agresionet pushtuese nuk janë as të depozituara në analet e historisë, dhe as një retorikë politike, por janë një kërcënim i vërtetë për të gjithë njerëzimin, për kontinentin dhe planetin tonë. Lufta e Ukrainës është lufta jonë”-tha Nikolla.

Më tej Nikolla foli edhe për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë duke i cilësuar se kanë ardhur si pasojë e angazhimit kundër agresionit rus në Ukrainë.

Në ditët e sotme mund të zhvillohen lehtësisht sinergji mes sulmeve terroriste dhe agresioneve ushtarake. Këto sinergji shumëfishojnë rreziqet që i kanosen vendeve dhe rajoneve, të cilat janë shënjestra e këtyre sulmeve.

Shqipëria ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike për shkak të angazhimit të saj serioz kundër agresionit ushtarak të Rusisë dhe kontributit të saj për paqen dhe lirinë.

Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sulmet kibernetike ndaj kombeve të lira nuk janë vetëm sulme ndaj sovranitetit. Ata kërcënojnë seriozisht demokracinë dhe qytetërimet në Evropë dhe në planet. Ndaj, mbështetja për Ukrainën dhe vendet që janë shënjestër e sulmeve kibernetike është një kontribut për demokracinë, vlerat dhe institucionet demokratike.

Në Evropë, si dhe në rajone të tjera të botës, krijimi i aleancave ushtarake mbrojtëse nuk shoqërohet gjithmonë nga një partneritet politik efektiv.

Partneriteti politik i bën aleancat ushtarake më efektive. Aleancat ushtarake mund të shërbejnë si një nxitje për partneritete politike të fuqishme dhe të qëndrueshme.

Duhet që të gjithë ta kemi parasysh një ndërveprim të tillë”-theksoi kryeparlamentarja shqiptare.

Samiti u organizua nga Parlamenti i Kroacisë dhe Parlamenti i Ukrainës, në Zagreb, më 25 tetor. Në të morën pjesë kryetarë të parlamenteve të vendeve anëtare të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, midis të cilëve Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Nancy Pelosi, Presidentja e Bundestagut Gjerman, Bärbel Bas etj.

Samiti aktivizoi dimensionin parlamentar të mbështetje për çlirimin e Ukrainës dhe çështje të tjera të sigurisë globale.