Gent Progni, një nga protestuesit e liruar pas arrestimit gjatë protestës në Tiranë, ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes që, sipas tij, çoi në shoqërimin nga policia, duke pretenduar se është dhunuar nga truproja e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Sipas Prognit, ai dhe protestues të tjerë ndodheshin në një lokal kur pranë tyre kaloi ministri Manja. Ai pretendoi se ministri i ofendoi pasi kaloi kordonin e policisë, ndërsa reagimi i tyre ishte ta godisnin me vezë.
“Ishim ulur duke pirë një kafe. Pranë nesh ishte Ulsi Manja, por nuk e kishim parë. Ai u fut në kordonin e policisë dhe na shau. Nuk e duruam dot dhe e gjuajtëm me vezë,” tha Progni.
Më tej, ai pretendoi se pas incidentit është dhunuar nga truproja e ministrit.
“Bodyguardi i tij kërceu nga dritarja dhe, në prani të shefit të komisariatit, më goditi vazhdimisht. Unë vetëm qeshja dhe i thosha: ‘Çfarë po bën, ne vetëm me vezë të gjuajtëm’,” u shpreh ai.
Progni shtoi gjithashtu se atij dhe protestuesve të tjerë nuk iu lejua të bënin kallëzim për dhunën e pretenduar.
“Na thanë se do të liroheshim kur të na iknin shenjat,” pretendoi ai.
