Hamasi ka njoftuar dorëheqjen e drejtuesit të Komitetit të Emergjencës, duke shënuar hapin e parë drejt shpërbërjes së organit që ushtronte funksionet e qeverisë de facto në Rripin e Gazës.
Sipas deklaratës së organizatës, vendimi synon t’i hapë rrugën Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një strukturë teknokrate e drejtuar nga Ali Shaath, e cila pritet të marrë kompetencat administrative në territor, përcjell JP.
Hamasi bëri të ditur se stafi teknik dhe profesional do të vijojë punën për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve për civilët, ndërsa administrimi do t’i kalojë gradualisht komitetit të ri.
Ndërkohë, Bordi i Paqes për Gazën reagoi duke theksuar se do ta vlerësojë procesin mbi bazën e veprimeve konkrete dhe jo të premtimeve.
“Vlerësimi ynë do të udhëhiqet nga veprimet, jo nga premtimet. Vendimet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me udhërrëfyesin për qeverisjen, sigurinë dhe tranzicionin në Gaza. Parimi mbetet një autoritet, një ligj dhe një armë,” thuhet në deklaratë.
Drejtori i Përgjithshëm i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, e cilësoi planin e tranzicionit si “urën mes deklaratave dhe zbatimit”, duke theksuar se marrëveshja për mekanizmat e zbatimit do t’i hapte rrugën marrjes së plotë të pushtetit nga komiteti teknokrat, çarmatimit të grupeve të armatosura, tërheqjes së forcave izraelite dhe nisjes së rindërtimit në shkallë të gjerë.
Sipas burimeve palestineze, brenda 48 orëve në Kajro pritet të zhvillohen takime mes Hamasit, fraksioneve të tjera palestineze dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë për të diskutuar fazën e ardhshme të tranzicionit dhe zbatimin e planit për administrimin e Gazës.
