
Ndërsa u shfaq mëngjesin e sotëm duke e sulmuar si agjitator të algoritmit gazetarin Klevin Muka, i cili sipas kreut të qeverisë kishte fabrikuar me Chatgpt projektin në Porto Palermo duke ia faturuar atë qeverisë, kryeministri Rama ka dalë blof me deklaratën e bërë.
Nënkryetari i PD-së Këlliçi ka publikuar një vendim të KKT-së të datës 25 shtator 2025, sipas të cilit, në Porto Palermo është planifikuar një park fotovoltaik me fuqi 2MW.
Ndërkohë studiuesi Auron Tare vëren se ndërsa është e vërtetë se Porto Palermo është shpallur zonë e mbrojtur në vition 2022, ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024, i hap rrugën ndërtimeve në Porto Palermo, siç ka ndodhur në Butrint e teorikisht çel rrugën që kjo të ndodhë kudo.
Tare e pyet drejtpërdrejt Ramën nëse ish-godinat e repartit ushtarak do kthehen në struktura hotelerie, kush do e administrojë tunelin dhe kompleksin përreth, duke e vënë theksin nëse do administrohen nga shteti apo OJF private si në rastin e Butrintit.
Në fund ai e pyet kreun e qeverisë Rama nëse ka një projekt për zhvillimin e Gjirit të Porto Palermos dhe nëse aty do lejohet të ndërtohet duke shfrytëzuar ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Reagimi i Auron Tares
“Kryeministri dhe Porto Palermo”
Në një dalje publike mëngjesin e sotëm, Kryeministri dha një sqarim lidhur me denoncimin e bërë mbrëmjen e djeshme gjate protestes, për ndërtimet në zonën e Porto Palermos, në jug të vendit.
Është e vërtetë se Gjiri i Porto Palermos u shpall zonë e mbrojtur, saktesisht Park Natyror në vitin 2022, me kufij të përcaktuar qartë. Si e tillë, zona i nënshtrohet regjimit të mbrojtjes së parashikuar nga legjislacioni për zonat e mbrojtura.
Gjithashtu, është e njohur se që në vitet 2014–2015 kanë ekzistuar disa ide-projekte për hapjen e tunelit të nëndetëseve për vizitorët. Një kompani italiane që zhvilloi këtë koncept kishte propozuar edhe shfrytëzimin e godinave të ish-repartit ushtarak, duke i përshtatur ato për funksione akomoduese dhe hotelerie ne dobine e saj.
Deri në këtë pikë, narrativa është e qartë.
Megjithatë, çështja ndryshon me ndryshimet e miratuara në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024. Pikërisht ky ligj ka qenë objekt i debatit publik dhe i protestave të organizuara nga të rinjtë dhe organizatat mjedisore.
Amendimet e vitit 2024 parashikojnë mundësinë e zhvillimit të strukturave akomoduese turistike, në kushte të caktuara, edhe brenda zonave të mbrojtura. Kjo do të thotë se, pavarësisht statusit të Porto Palermos si zonë e mbrojtur, legjislacioni aktual nuk e përjashton automatikisht mundësinë e zhvillimeve turistike, nëse ato përmbushin kriteret e përcaktuara nga ligji.
Nëse ekziston një projekt për hapjen e tunelit të nëndetëseve një iniciativë që mund të konsiderohet pozitive për turizmin kulturor atëherë lindin disa pyetje legjitime që meritojnë përgjigje institucionale:
- A parashikohet që godinat e ish-repartit ushtarak të shndërrohen në njësi akomoduese apo struktura hotelerie?
- Ne se PO ateherekush do ta administrojë tunelin dhe kompleksin përreth? A do të jenë nën administrimin e institucioneve publike shqiptare të trashëgimisë kulturore, siç administrohen sot Kalaja e Porto Palermos, Shtepia me Gjethe apo do të jepen në administrim përmes një fondacioni ose subjekti privat si Butrinti?
- A ekziston një projekt më i gjerë zhvillimi për Gjirin e Porto Palermos dhe, nëse po, a përfshin ai ndërtime ose zhvillime turistike që lejohen nga ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura të vitit 2024?
Këto janë pyetje që nuk kanë nevojë të marrin domosdoshmërisht përgjigje nga Kryeministri. Përgjegjësia për transparencën i takon institucioneve kompetente, si Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Turizmit & Kulturës, si edhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të ndihmonin në sqarimin e qëllimeve të projektit dhe do të forconin besimin e publikut se çdo zhvillim në Porto Palermo do të respektojë ligjin, interesin publik dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore dhe jo interesa private.”
Më poshtë është përgënjeshtrimi i Këlliçit për kryeminstrin Rama duke publikluar vendimin e KKT-së për Porto Palermon
Postimi i kryeministrit Rama mëngjesin e sotëm ku akuzonte gazetarin Klevin Muka si agjitator të algorimit dhe fabrikues projektesh me Chatgpt duke ia faturuar ato qeverisë

