Vendosni fjalën kyçe....

Përmeti kërkon rikthim në normalitet në Kuvend, Ruçi: Nuk është koha, Shqipëria ka bërë mbase më shumë se të tjerët në rruzullin tokësor


Deputeti Andi Përmeti ankohet përsëri për kohën që kanë në dispozicion deputetët në Kuvend, për të diskutuar mbi ligjet për të cilat votojnë.

Duke qenë se gjendja e Fatkeqësisë Natyrore ka përfunduar që me 23 qershor, Përmeti kërkon që dhe Kuvendi t’i rikthehet normalitetit.

“Kemi më shumë se një javë nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme por përsëri nuk e kemi të drejtën e fjalës. Ju sillni 15 ligje, ndërsa ne kemi 2 minuta koha, 8 sekonda për një ligj për të folur. Kjo është tallje. Unë e mirëkuptoj situatën e vështirë të COVID-it, por ne këtu futemi në një sallë 150 frymë me ajër të kondicionuar, dhe rrimë 4 orë. Unë sfidoj cdo mjek që thotë se nëse rrini 4 orë nuk sëmureni dhe nëse rrini 5 sëmuremi. Prandaj riktheni diskutimet. Nëse parlamenti nuk diskuton, atëherë është si ai para 1990. Ju i pari.”– tha Përmeti.

Mirëpo kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi mban të njëjtin qëndrim si në javën e kaluar. Ai thotë se seancat do të vijojnë në këtë mënyrë, për shkak të akteve normative që janë ende në fuqi, numrit të rritje të të infektuarve dhe shtimit të pacientëve në shërbimin Infektiv.

“E keni shumë gabim. Unë ju respektoj se jeni anëtar i këtij Parlamenti, por më shumë respektoj mendimet e ekspertëve, si të vendit tonë ashtu edhe të vendeve të të gjithë rruzullit tokësor. Parlamenti i Shqipërisë ka bërë po aq mbase dhe më shumë në zbatim të të gjitha masave.

Vërtet ka rënë gjendja e jashtëzakonshme por ju bashkë me mua kemi votuar disa akte normative që janë ende në fuqi. Nëse në kulmin e Pandemisë ishin 30-40 pacientë të shtruar në Infektiv, sot janë 70-80. Nuk është koha dhe as momenti që të shkujdesemi nga zbatimi i masave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe të miratuara me akte normative nga Kuvendi. Nuk duhet të japim shembullin e gabuar.”– tha Ruçi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *