Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën pesë të vrarë nga të shtënat me armë në Gjermani, arrestohen dy persona


Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një qendër të kujdesit për të rinjtë në qytetin Stade, në veri të Gjermanisë.

Sipas policisë gjermane, dy persona janë arrestuar, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se është autori i të shtënave, përcjell Euronews.

Autoritetet konfirmuan gjithashtu se ka edhe të plagosur, por nuk kanë bërë ende të ditur numrin e tyre.

Ngjarja ndodhi në një objekt të kujdesit social në rrugën Dankersstrasse, në jug të qendrës së qytetit.

Policia ka nisur një operacion të gjerë në zonë dhe po heton motivet e sulmit, si dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për publikun.

Banorëve u është bërë thirrje të shmangin zonën e krimit, ndërsa hetuesit dhe ekspertët e kriminalistikës vijojnë punën në vendngjarje.

Qyteti i Stade ndodhet rreth 40 kilometra nga Hamburgu dhe ka rreth 50 mijë banorë.

Megjithëse Gjermania ka ligje të rrepta për armëmbajtjen, ngjarje të tilla me viktima të shumta, ndonëse të rralla, kanë ndodhur edhe më parë.