Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i ushtrisë së Ugandës urdhëron mbylljen e dy mediave kryesore: Nuk besoj te shtypi i lirë



Shefi i ushtrisë së Ugandës, Muhoozi Kainerugaba, ka njoftuar se ka urdhëruar mbylljen e dy prej mediave më të mëdha të vendit, duke deklaruar se nuk beson te “shtypi i lirë”, përcjell DW.

Kainerugaba, i cili është djali i presidentit Yoweri Museveni, tha në një seri postimesh në rrjetin social X se vendimi për mbylljen e gazetës Daily Monitor dhe televizionit NTV është marrë në bazë të kompetencave që, sipas tij, i janë deleguar nga Presidenca.

“Në Ugandë nuk besoj te shtypi i lirë. Media duhet të udhëhiqet nga kuadrot e revolucionit”, shkroi ai, duke shtuar se ka autoritetin të mbyllë çdo media që dëshiron.

Ai deklaroi gjithashtu se kjo është “vetëm fillimi”, ndërsa paralajmëroi arrestime të tjera.

Dy mediat janë në pronësi të grupit mediatik kenian Nation Media Group (NMG).

Sipas raportimeve, forcat ushtarake u vendosën në selinë e NMG-së në kryeqytetin Kampala, ku punonjësit u penguan të hynin ose të dilnin nga godina gjatë operacionit.

Shoqata Kombëtare e Transmetuesve në Ugandë bëri të ditur se të paktën gjashtë media të lidhura me NMG-në janë mbyllur.

Kainerugaba konsiderohet si një nga pasardhësit e mundshëm të presidentit Museveni, i cili drejton Ugandën që nga viti 1986. Ai është bërë shpesh objekt polemikash për deklaratat e tij në rrjetet sociale, ku më parë ka kërcënuar edhe figura të opozitës dhe personalitete publike.

Ai mban postin e shefit të ushtrisë së Ugandës që prej vitit 2024.