Vendosni fjalën kyçe....

Mori ryshfet për tenderin, SPAK kërkon 4 vite burg për ish-sekretaren e përgjithshme të Ministrisë se Shëndetësisë


Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vite burg për ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e arrestuar për korrupsion me tenderin për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.

Sipas SPAK, Joana Duro, mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë ‘DRICONS’ për të fituar tenderin. Duro ndodhet në burg që prej 5 qershorit 2023, ndërsa GJKKO nuk ka pranuar që t’i lehtësojë masën. Ajo akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë”.

Ndërsa për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim. Vladimir Topi, administratori i kompanisë “Dricons” rrezikon 2 vjet burgim, nëse gjykata merr parasysh kërkesën e prokurorit, Dritan Prençi.

Për inxhinierin, Silvi Shehi, organi i Posaçëm i akuzës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim. Të tre të pandehurit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv.

Duro u arrestua bashkë me Sheton më 2 qershor 2023, pasi dyshohet se sekretarja e Shëndetësisë mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë  ‘DRICONS’ në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës. Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria për tenderin, kompania fituese ka ofruar 672.457.60 lekë.