Vendosni fjalën kyçe....

Rama mbron librin “The Albanian Files”: Është vënë nën shënjestrën e inkuizicionit revolucionar të protestës


Kryeministri Edi Rama e nisi episodin më të fundit të podcastit “Flasim” me librin The Albanian Files në dorë, duke reaguar ndaj polemikave që kanë shoqëruar botimin. Sipas tij, libri është bërë objekt i një fushate sulmesh që buron nga protestat e ditëve të fundit.

“Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin. Një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është dega inkuizicionale që përndjek, në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë së këtyre 30 viteve,” u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se botimi nuk është një projekt i tij personal, por një iniciativë editoriale e pavarur që përmbledh punët dhe reflektimet e 60 arkitektëve dhe studiove ndërkombëtare që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.

“The Albanian Files është vendosur nën shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe as i botuar prej meje. Unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës… Ka ardhur si projekt editorial tërësisht i pavarur dhe janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit.”

Rama u ndal edhe te debati për letrën e arkitektit Reinier de Graaf, e cila është interpretuar si një thirrje që ai të bëhet “mbret”. Sipas tij, bëhet fjalë për një tekst satirik dhe autoironik.

“Është kapur një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson një prej studiove më të mëdha. Më thotë: ‘Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret…’. Natyrisht nuk është një thirrje reale për t’u bërë mbret. Është kthyer kokëposhtë, por tregon që libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar.”

Kryeministri nënvizoi se autonomia editoriale e autorëve është respektuar plotësisht dhe se askush nuk ka ndërhyrë në përmbajtjen e botimit.

“Të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre. Kanë zgjedhur vetë projektet, kanë vënë vetë tekstet, kanë caktuar reflektimet dhe materialet që kanë dashur të publikojnë. Përfshirja e letrës së hapur të Reinier de Graaf është një dëshmi e kësaj autonomie.”

Ai shtoi se edhe vetë titulli The Albanian Files mbart një ironi të qëllimshme.

“Edhe vetë ‘files’, dosjet, është një referencë ironike e një Shqipërie që vjen nga një kohë dosjesh, ndërkohë që këtu dosjet janë të tëra të hapura për publikun. Ai e ka vendosur aty, s’ka as redaktim, s’ka as censurë dhe, po të ishte një botim propagandistik apo i kontrolluar politikisht, ky tekst nuk do të mbetej aty.”

Në fund, Rama vlerësoi figurën e Reinier de Graaf, duke theksuar se ai është i njohur ndërkombëtarisht për stilin e tij satirik.

“Ai nuk është vetëm një arkitekt i njohur ndërkombëtarisht. Është autor librash dhe esesh mbi marrëdhëniet mes arkitekturës, pushtetit, kapitalit dhe politikës. Ka një stil botërisht të njohur ironik, satirik, paradoksal e hiperbolik. Është një njeri i lirë.”