Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e 29-të vijon edhe në orët e vona të natës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit



Në Tiranë po vijon edhe në orët e vona të natës protesta e 29-të radhazi, ku qytetarët kanë ripërsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën e cilësojnë të panegociueshme.

Pjesëmarrësit kanë qëndruar në shesh dhe në zonën përreth Kryeministrisë për disa orë, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre pavarësisht kohëzgjatjes së protestës.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje të ndryshme kundër qeverisë, përfshirë slogane si: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e Re” dhe “Zegjine na numëro, shih sa veta jena sot”, të përsëritura në disa momente të protestës.

Sipas organizatorëve dhe protestuesve, lëvizja qytetare ka hyrë në një fazë të qëndrueshme dhe synon të vazhdojë pa ndërprerje deri në përmbushjen e kërkesave të shpallura.

Ndërkohë, prania e forcave të rendit ka qenë e dukshme gjatë gjithë zhvillimit të tubimit, pa raportime për incidente.