Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, hodhi poshtë të shtunën marrëveshjen e sigurisë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Izraelit dhe Libanit, vetëm një ditë pasi ajo u nënshkrua, duke e cilësuar si një “dorëzim” ndaj Izraelit.
Marrëveshja parashikon një tërheqje graduale të forcave izraelite nga disa zona të Libanit jugor, ndërsa ushtria libaneze do të vendoset në këto territore. Megjithatë, Izraelit i lejohet të mbajë përkohësisht trupat në një zonë të zgjeruar sigurie, përcjell Reuters.
Në një deklaratë, Qassem e quajti marrëveshjen “të pavlefshme”, duke akuzuar qeverinë libaneze se ka bërë lëshime të njëanshme dhe ka cenuar sovranitetin e vendit.
Ai kritikoi veçanërisht kushtin që lidh tërheqjen e forcave izraelite me çarmatimin e Hezbollahut, duke thënë se kjo legjitimon praninë ushtarake të Izraelit në territorin libanez.
“Ne nuk e kemi braktisur fushëbetejën në momentet më të vështira dhe nuk do ta braktisim tani”, deklaroi ai, duke theksuar se Hezbollahu do të vazhdojë rezistencën e armatosur.
Kundërshtime ndaj marrëveshjes pati edhe nga lëvizja Amal, e drejtuar nga kryetari i Parlamentit libanez Nabih Berri, e cila e cilësoi atë të pabalancuar dhe në favor të Izraelit.
Nga ana tjetër, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshëndeti marrëveshjen, duke deklaruar se ajo i lejon Izraelit të ruajë kontrollin mbi zonën e sigurisë dhe të pengojë rikthimin e banorëve të zhvendosur në këto territore.
Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu publikoi një hartë me dy zonat pilot që Izraeli ka rënë dakord t’ia dorëzojë ushtrisë libaneze në një fazë të mëvonshme të zbatimit të marrëveshjes.
Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes, tensionet në terren vijojnë. Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit raportoi se një dron izraelit goditi të shtunën zonën Nabatieh al-Fawqa, jashtë zonës së sigurisë.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke deklaruar se objektivi ishte një person që përbënte kërcënim për trupat e saj, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Qassem deklaroi gjithashtu se memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, i nënshkruar më herët këtë muaj dhe që garanton integritetin territorial të Libanit, duhet të shërbejë si baza për zgjidhjen e konfliktit, dhe jo marrëveshja e arritur në Uashington.
