
Nga Margo Rejmer
Asgjë nuk është më e lehtë sesa të lidhësh pikat.
Asgjë nuk është më e vështirë sesa të lidhësh pikat.
Një nga burimet e mia thotë se disa javë më parë një ngarkesë prej 50 tonelatash kokainë kaloi përmes Portit të Durrësit. Merrni një makinë llogaritëse: 50.000 kilogramë shumëzuar me 20.000 euro për kilogram bëjnë 1 miliard euro. Rreth 12 për qind e buxhetit vjetor të Shqipërisë.
Dhe kjo është vetëm një ngarkesë.
Tani mendoni sa njerëz duhen për të shpërndarë 50 ton kokainë në rrugët e qyteteve evropiane. Sa njerëz – avokatë, bankierë, noterë, punonjës zyrash dhe agjenci të shitjes së apartamenteve – duhen për të pastruar 1 miliard euro?
Dhe kjo është vetëm një ngarkesë.
Një gazetar i njohur ekonomik më tha: “Që nga viti 2018 kam pyetur veten si ia dalin?” Si transportojnë dhe pastrojnë shuma kaq të mëdha parash? Çfarë sistemi të ndërlikuar kanë krijuar? Dhe pastaj dokumentet e SPAK-ut japin përgjigjen: kamionë të mbushur me para nga shitja e kokainës përshkojnë Evropën, kalojnë kufijtë falë ryshfeteve, ndërsa paratë ruhen në apartamente të blera vetëm për t’i fshehur ose varrosen në fuçi nën pemë ulliri. Gjithçka është kaq e thjeshtë, por njëkohësisht kaq primitive. Sasi të pafundme parash dhe korrupsion – kështu funksionon sistemi.
Dhjetëra mijëra shqiptarë po protestojnë sepse modeli i zhvillimit të vendit, i bazuar te investimet luksoze dhe pastrimi i parave të pista, nuk i ka sjellë kurrë mirëqenie asnjë vendi. Për njerëzit e zakonshëm ai ka sjellë vetëm pasoja negative: çmimet e ushqimeve dhe qirave janë rritur në mënyrë marramendëse, ndërsa leku shqiptar është aktualisht në mënyrë të papërshtatshme shumë i fortë kundrejt euros.
Biznesmenë të lidhur me mafian ndërtojnë komplekse apartamentesh për të parkuar para dhe mbajnë çmimet artificialisht të larta. Aktualisht, një metër katror në qendër të Tiranës kushton rreth 3.500–4.000 euro, ndërsa të ardhurat mesatare mujore janë rreth 600 euro, gjë që e rendit Tiranën në vendin e pestë në Evropë për raportin mes çmimit të banesave dhe të ardhurave të qytetarëve.
Një agjent imobiliar me të cilin bisedova së fundmi më tha: “Palermo në vitet 1970 u kthye në një kantier të madh ndërtimi, njësoj si Shqipëria sot. Sot Palermo është plot me shtëpi bosh. Tirana do bëhet një qytet me rrokaqiej bosh, sepse kushdo që mundet do largohet prej këtu.”
Ndërkohë, Shqipëria po jeton me publikimin e “The Albanian Files”, opusit madhor të Ramës, një katalog investimesh që tashmë janë realizuar, që një ditë mund të realizohen ose – siç na mëson përvoja – mund të mos realizohen kurrë. Edi Rama zbulon pa asnjë ngurrim informacione që deri tani nuk ishin bërë publike – për shembull se projekti i vilave dhe hotelit në Zvërnec u krijua në vitin 2022 me kërkesë të oligarkut Kastrati.
“The Albanian Files” nuk është vetëm një dëshmi e korrupsionit në Shqipëri dhe provë e shkallës gjigante të pastrimit të parave në vend. Ai është gjithashtu një dëshmi e korrupsionit moral të arkitektëve të famshëm – Winy Maas, Stefano Boeri, Bjarke Ingels dhe gjigantëve të tjerë të arkitekturës – të cilët vitet e fundit kanë krijuar fasadën e ndritshme të suksesit të madh ekonomik të Shqipërisë. Pse asnjëri prej tyre nuk e pyeti veten se si një vend kaq i varfër gjeti paratë për qindra investime dhe për të ndërtuar gjithnjë e më shumë rrokaqiej gjigantë?
Asnjë arkitekt shqiptar nuk përmendet në “The Albanian Files”. Edi Rama punoi vetëm me emra të njohur ndërkombëtarisht. Ai u paraqit si një udhëheqës vizionar që sillte botën e madhe në skajin e Ballkanit të prapambetur. Dhe arkitektët e mëdhenj e duartrokitën këtë narrativë, duke treguar qëndrimin e tyre neokolonialist ndaj Shqipërisë dhe arrogancën e tyre.
Megjithatë, të gjithë i tejkaloi Reinier de Graaf, arkitekti me famë botërore nga Holanda, i cili deklaroi në “The Albanian Files” se do dëshironte ta shihte Ramën si mbretin e ardhshëm të Shqipërisë. De Graaf, autor librash dhe artikujsh mbi mënyrën se si arkitektët e ndershëm duhet të shmangin projektet që mbulojnë pastrimin e parave, shkruan në “The Albanian Files”: “Për ne arkitektët do ishte më mirë që zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të 2025-ës të anuloheshin. Të them edhe më shumë. Meqë Shqipëria ka qenë prej vitesh një mbështetëse kaq e shkëlqyer e arkitekturës, do ishte më mirë për profesionin tonë që në këtë vend të mos mbaheshin më kurrë zgjedhje. Dhe zoti Edi Rama, pas një mandati të pestë radhazi si kryeministër, thjesht të bëhej president i përjetshëm. Ose ndoshta edhe mbret.”
Fjalët gjysmë ironike të De Graaf u bënë një tjetër shkëndijë që ndezi sërish zemërimin e shqiptarëve. Dje bulevardi në qendër të Tiranës u mbush sërish plot me protestues. Shqiptarët thonë: mjaft me korrupsionin dhe me trajtimin si idiotë provincialë. Mjaft me krimin e organizuar që, sipas tyre, ka marrë kontrollin e vendit nën sytë e Ramës.
Një ditë tjetër pashë në turmë një grua që, sipas njërit prej informatorëve të mi, punon duke pastruar para të pista për të. Ajo marshonte së bashku me djalin e saj të vogël duke bërtitur: “Rama në burg!”
Dhe, meqë po lidhim pikat, të mos harrojmë një fakt tjetër: Edi Rama është kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, komisioni që miraton çdo investim në Shqipëri, lëshon lejet e ndërtimit dhe vlerëson çdo projekt. Asnjë investim nuk mund të realizohet në Shqipëri pa miratimin e kryeministrit. Gjithçka është fare e qartë.
Tani e gjithë Shqipëria po bën të njëjtën pyetje: a do të dëshirojë SPAK-u, prokuroria kundër korrupsionit, t’i lidhë pikat?
Në një intervistë për Financial Times, Rama thotë: “Unë nuk jam kumbar” dhe u drejtohet protestuesve me fjalët: “F*** you.”
Ndërsa turma në rrugë i përgjigjet: “SPAK you, Rama!”
Dhe vazhdon të përsërisë:
“Nesër do të jemi edhe më shumë.”
*Malgorzata Zofia (Margo) Rejmer, e lindur në vitin 1985 në Varshavë, është një romanciere, reportere dhe shkrimtare polake. Librat e saj, të cilët janë përkthyer në tetë gjuhë, përfshijnë romanin Toximia (2009) dhe dy vepra dokumentare: Bukureshti: Pluhur dhe Gjak, i cili fitoi çmimin e revistës Newsweek për librin më të mirë të vitit 2014, çmimin letrar Gryfia (2014) dhe çmimin TVP Kultura (2014); si dhe “Mud Sweeter than Honey”, për të cilin ajo u nderua me Polityka Passport – çmimin më prestigjioz në Poloni për artistët e rinj premtues – si dhe me çmimin Arkady Fiedler. Ajo mban gjithashtu titullin “Ambasadore e Re e Gjuhës Polake”.