Pas rreth dy javësh kërkime intensive, është gjetur i pajetë Eglant Koçi, 34-vjeçari që rezultonte i zhdukur prej fillimit të muajit qershor.
Trupi i tij u lokalizua nga një dron i Policisë së Shtetit në një zonë të thellë malore pranë fshatit Cerujë, mes Tiranës dhe Elbasanit.
Në vendngjarje ndodhen efektivë të policisë dhe forcat speciale RENEA, të cilat po punojnë për nxjerrjen e trupit nga humnera dhe identifikimin përfundimtar të tij.
Zhdukja e Koçit kishte ngritur dyshime të forta për një krim të rëndë. Hetimet paraprake kanë zbuluar se ai dyshohet të jetë marrë peng dhe më pas vrarë nga shoku i tij, Armand Shakaj, i cili vijon të jetë në kërkim nga autoritetet.
Një nga provat kryesore të hetimit janë pamjet e kamerave të sigurisë nga ambienti ku Koçi dyshohet se është mbajtur peng. Në to, sipas hetuesve, Armand Shakaj shfaqet duke transportuar një çantë dhe qese të zeza, brenda të cilave dyshohet se ndodhej trupi i pajetë i 34-vjeçarit.
Sipas të dhënave të hetimit, Shakaj e ka vendosur ngarkesën në automjetin e tij tip “Porsche”, ku dyshohet se ka mbajtur trupin për më shumë se 24 orë. Më pas ai ka transportuar mjetin me karrotrec drejt zonës së Ibës, duke pretenduar se automjeti kishte pësuar defekt. Hetuesit dyshojnë se pikërisht pas kësaj lëvizjeje ai është larguar për të fshehur trupin e viktimës.
Automjeti i Shakajt u sekuestrua më vonë nga policia, pasi ishte dërguar në një lavazh nga një kamarier që punonte për të. Gjatë ekspertimit, brenda mjetit u konstatuan gjurmë gjaku dhe sende pune, mes tyre lopata me baltë, prova që forcuan dyshimet për përfshirjen e tij në krim.
Lokalizimi i trupit në një humnerë në zonën e Cerujës konsiderohet një zhvillim kyç për hetimin, ndërsa ekspertët pritet të kryejnë ekzaminimet mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun dhe kohën e vdekjes.
Ndërkohë, policia vijon operacionin për kapjen e Armand Shakajt, i cili konsiderohet personi kryesor i dyshuar për vrasjen dhe fshehjen e trupit të Eglant Koçit.
