Vendosni fjalën kyçe....

Policia greke sekuestron 96 kg marijuanë pranë Igumenicës, dyshohet lidhje me trafikun nga Shqipëria



Një tjetër sasi e madhe lënde narkotike është sekuestruar mëngjesin e sotëm nga policia greke në zonën e Igumenicës, pranë kufirit greko-shqiptar.

Sipas autoriteteve, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit është ndaluar një automjet i marrë me qira, në të cilin udhëtonte një shtetase greke 61-vjeçare me origjinë nga Athina.

Gjatë kontrollit në automjet, policia ka gjetur dhe sekuestruar 90 pako me rreth 96 kg e 74 gramë marijuanë, një sasi të vogël kokaine, hashash të llojit “çokollatë”, si dhe 100 euro dhe dy telefona celularë.

Sipas hetimeve paraprake, droga dyshohet se është trafikuar nga territori shqiptar, përmes zonës së Sarandës dhe fshatrave të Bashkisë Konispol.

Ky është rasti i dytë brenda 8 ditëve në të njëjtën zonë, pasi më herët policia greke kishte sekuestruar rreth 110 kg marijuanë, ku ishte arrestuar një shtetas turk.

Autoritetet greke kanë njoftuar edhe homologët shqiptarë, ndërsa Policia Kufitare e Sarandës ka shtuar kontrollet në kufirin e gjelbër dhe në zonat detare.

Dyshimet paraprake flasin për riaktivizim të linjave të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë, me një sasi totale të sekuestruar që në muajt e fundit dyshohet se ka arritur në mbi një ton.