Vendosni fjalën kyçe....

Sa dhe cilat kategori refugjatësh afgane mund të strehohen në Shqipëri?


Nga Xhuliana Toci

Rrëzimi i shpejtë i partisë në pushtet në Afganistan e ka detyruar SHBA-në të nisë një garë kundër kohës për të shpëtuar mijëra qytetarë që kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara ndërkohë që vendi ndodhet një krizë të plotë humanitare. Dhjetëra mijëra diplomatë, punonjës civilë dhe anëtarë të stafit ushtarak po kërkojnë strehim.

Ndërkohë, që SHBA po diskuton me një sërë aleatësh, përfshirë, Kosovën dhe Katarin, Shqipëria ka qenë vendi i parë që deklaruar se do t’i strehojë afganët që i arratisen dorës së hekurt të Talibanëve. Duke kujtuar strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryeministri Edi Rama tha se sot, se pas kërkesë së Administratës Amerikane, kishte vendosur t’i strehonte një pjesë të tyre duke theksuar se mikpritja për ata që iu rrezikohet jeta në vendin e tyre është traditë e shqiptarëve.

Largimi i stafit nga Afganistani dhe strehimi i tyre në Shqipëri, por dhe vende të tjera që mund të pranojnë t’i strehojnë pritet të bëhet brenda një ose dy muajsh.

Qeveria amerikane ka transportuar rreth 1,200 afganë në Shtetet e Bashkuara ditët e fundit, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price. Por administrata e Biden është zotuar të zhvendosë përkohësisht të paktën 4,000 aplikantë të tjerë dhe familjet e tyre në vende të tjera, ndërsa dokumentet e tyre kanë përfunduar. Kjo do të thotë se një pjesë e tyre mund të vijnë në Shqipëri.

“Jam vërtet i mërzitur dhe zemërthyer,” tha Ismail Khan, një afgan që shërbeu si përkthyes për trupat amerikane. “Nuk e kuptoj. Çfarë presin ata? A presin që të gjithë të vdesin dhe pastaj do të na nxjerrin? ”

Të gjithë afganët që punuan për qeverinë amerikane në këto 20 vitë kanë të drejtë të aplikojnë për azil pranë ambasadës Amerikane në Kabul dhe të kërkojnë strehim në një vend të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Duke iu përgjigjur krizës, administrata e Biden njoftoi të enjten se po dislokonte 3,000 trupa luftarake në Kabul për të forcuar sigurinë në aeroport, ndërsa personeli i ambasadës po evakuohet në bordin e avionëve civilë dhe ushtarakë.

Zëvendëssekretarja e Shtetit Wendy Sherman mbajti konferenca me dyer të mbyllura me ligjvënësit të enjten dhe i informoi ata se një ekip i ambasadës do të mbetej në Kabul, për të bërë gati dokumentet e afganëve që do t’i ofrohet azil në vendet e tjera.

I pari që do të evakuohet dhe me shumë gjasa mund të strehohet në Shqipëri do të jetë ekipi i sigurisë diplomatike dhe afganët që punojnë në konsullata.

Një kategori e dytë afganësh gjithashtu ka nevojë për ndihmë janë anëtarët e parlamentit dhe anëtar të partive politike, por sipas një marrëveshje të arritur nga SHBA-ja, ata ka të ngjarë të strehohen në Kanada.

Një tjetër kategori që mund të strehohet në vendin tonë janë gazetarë, nëpunësve civilë, aktivistë dhe kategori të tjera të ngjashme që mund të kualifikohen si refugjatë.

“Siguria e diplomatëve dhe personelit ushtarak amerikan duhet të jetë përparësia jonë e parë,” thanë një grup senatorësh amerikanë drejtuar Biden. “Por ne gjithashtu duhet të evakuojmë afganët e kualifikuar për azil, dhe të gjitha burimet publike dhe private tani duhet të mobilizohen për të shpëtuar ata që kanë të drejtë për azil”.

Deri më tani, për azil kanë aplikuar 19,000 qytetarë afganë, një shifër që nuk përfshin anëtarët e familjes së tyre. Mediat amerikanë shkruajnë se çdo aplikant duhet të llogaritet me rreth katër persona shtesë. E thënë ndryshe, kjo do të thotë se afro 88,000 afganë mund të kenë nevojë të evakuohen nga vendi. Nuk është ende e qartë se sa prej tyre do strehohen në Shqipëri.

Rreth gjysma e të gjithë aplikantëve jetojnë jashtë Kabulit dhe ambasada nuk do të bëjë asgjë për t’i ndihmuar ata të shkojnë në kryeqytet, tha zëdhënësi i DASH, Ned Price.

“Nëse ata nuk mund t’ia dalin, tani që pjesa tjetër e vendit është nën kontrollin e talebanëve, do ta kemi të vështirë t’i ndihmojmë.”

Me kë po negocion tjetër SHBA-ja?

Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19 para se të lejoheshin të fluturonin. Vendet e tjera me të cilat po negocion SHBA janë edhe Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Shumica janë të shqetësuar se cilët janë këta njerëz. A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin vizat për në Shtetet e Bashkuara?

Çfarë ndodh nëse këta njerëz largohen nga vendet ku ata po qëndrojnë momentalisht? ” tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Një marrëveshje për strehimin e rreth 8,000 afganëve në Katar ka përfunduar përpara disa javësh, sipas një njoftimi të një zyrtari amerikan, por ende nuk është bërë publike. Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që po ndryshon me shpejtësi.

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës koncesione ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve, por ka shqetësim në Uashington për aftësinë e saj për të strehuar afganët, thanë burimet.

James Miervaldis, kryetar i një organizatë që ndihmon aplikantët e SIV të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, tha se mundësia që shumica e aplikantëve të evakuohen është e pakët. Kjo është çështje po diskutohet ende nga ligjvënësit në Kongres, përfshirë aleatët e Biden.

“Ne duhet të mbajmë premtimet tona për mijëra afganë që rrezikuan jetën e tyre për të na ndihmuar. Është koha që Biden të lërë mënjanë burokracinë dhe të ndihmojë afganët, “tha kongresistja Sara Jacobs.

Burimet: “Ancorage Daily News”, “Eu Observer”, “Reuters”