Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk jemi kundër investimeve të huaja, por a i zbaton qeveria rregullat dhe ligjet?” -Kapri për Zvërnecin



Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, deklaroi se kundërshtimi ndaj projektit të planifikuar në Zvërnec nuk është një qëndrim kundër investimeve të huaja, por lidhet me mënyrën se si, sipas tij, po zbatohen ligjet dhe procedurat nga qeveria.

Duke folur për protestën qytetare të zhvilluar në Tiranë kundër projektit, Kapri theksoi se pjesëmarrësit nuk janë kundër zhvillimit ekonomik apo investitorëve të huaj.

“Gjen gjë njeri të jetë kundër investimit të Kushner? Ai është njeri i nderuar. Nuk thotë njeri jemi kundër zhvillimit dhe investimeve të huaja, por a i zbaton qeveria rregullat dhe ligjet?”, u shpreh ai.

Kapri tregoi se në protestë kishte marrë pjesë si qytetar i thjeshtë, pa simbole apo logo politike, ndërsa vlerësoi organizatorët për vendimin që tubimi të mos identifikohej me forca të caktuara politike.

Sipas tij, aktivistët dhe qytetarët vepruan drejt duke e mbajtur fokusin te kauza dhe jo te përkatësitë partiake, me qëllim që debati të përqendrohej te projekti në Zvërnec dhe shqetësimet që lidhen me të.