Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për Zvërnecin: Kam frikë se mafia shqiptare do ta kthejë në një Ksamil të dytë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mbështet investimet e huaja në Sazan dhe Zvërnec, por paralajmëroi se rreziku më i madh për këtë zonë mbetet, sipas tij, ndërhyrja e mafias shqiptare dhe zhvillimi i pakontrolluar urban.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se shqetësimi i tij kryesor është që Zvërneci të mos pësojë fatin e Ksamilit, të cilin e cilësoi si një shembull negativ të zhvillimit të turizmit.

“A nuk është një barbari ajo që ka ndodhur në Ksamil? Çfarë i druhem unë Zvërnecit? Druhem jashtë mase se mafia shqiptare do ta shndërrojë në një Ksamil të dytë. Është e pamëshirë. Ajo do të ishte dramë e vërtetë për ne. Nga një bizhu e vërtetë botërore mund të shndërrohet në një Ksamil të dytë,” deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve tha se Partia Demokratike nuk është kundër zhvillimit të zonës, por theksoi se çdo investim duhet të respektojë peizazhin dhe karakteristikat natyrore të territorit.

“Cili do të kishte qenë qëndrimi i qeverisë sonë në raport me Zvërnecin? Ne do ta zhvillonim në përputhje me peizazhin,” u shpreh ai.

Megjithatë, Berisha nënvizoi se një projekt si aeroporti i Vlorës nuk do të ishte ndërtuar në atë zonë nëse Partia Demokratike do të ishte në qeveri.

“Po aeroportin aty nuk e ndërtonim kurrë, kurrë,” deklaroi ai.

Duke iu rikthyer debatit për investimet në ishullin e Sazanit, Berisha përsëriti qëndrimin e tij se projekti duhet parë si një mundësi zhvillimi dhe jo si një kërcënim për zonën.

“Për sa i përket ishullit, ata që qajnë për Sazanin janë një grup hipokritësh. Sazanin ua kemi ofruar investitorëve edhe më parë dhe nuk bëhet fjalë për një investim të thjeshtë,” tha lideri i opozitës.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur debati mbi projektin turistik në Zvërnec ka sjellë përplasje politike, protesta qytetare dhe reagime të shumta nga aktivistë, organizata mjedisore dhe përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës.