Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që t’i dërgojë Ukrainës raketa Patriot, pas një prej sulmeve më të mëdha ajrore ruse të muajve të fundit, i cili la të paktën 18 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në disa qytete të vendit.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi gjatë natës 73 raketa dhe 656 dronë, mes tyre edhe tetë raketa hipersonike Tsirkon. Objektivat kryesore ishin Kievi, Dnipro, Zaporizhia, Poltava dhe Kharkivi.
Shpërthime të fuqishme tronditën kryeqytetin ukrainas, ndërsa banorët u strehuan në stacione metroje, korridore dhe bodrume. Sipas autoriteteve, në Kiev humbën jetën gjashtë persona dhe 66 të tjerë u plagosën, përfshirë tre fëmijë, përcjell The Guardian.
“Një sulm në shkallë të gjerë dhe një deklaratë plotësisht e qartë nga Rusia. Nëse Ukraina nuk mbrohet nga raketat balistike dhe sulmet e tjera raketore, këto sulme do të vazhdojnë,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Ai theksoi se Europa ka nevojë për sistemet e veta kundër raketave balistike, ndërsa kërkoi mbështetje të menjëhershme nga SHBA për furnizimin me raketa Patriot.
“Ne kemi patjetër nevojë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara në furnizimin me raketa Patriot. Llogarisim në mbështetjen e partnerëve tanë dhe në përgjigje efektive ndaj sulmit të sotëm,” deklaroi presidenti ukrainas.
Zelensky ka paralajmëruar vazhdimisht se Ukraina po përballet me mungesë interceptorësh Patriot, të cilët konsiderohen si sistemi i vetëm efektiv për të ndalur raketat balistike ruse. Javën e kaluar ai iu drejtua zyrtarisht Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit amerikan duke kërkuar ndihmë shtesë.
Megjithatë, sipas raportimit, administrata Trump nuk i është përgjigjur ende kërkesave të Kievit, ndërsa një numër i madh raketash Patriot u përdor gjatë konfliktit SHBA-Iran në fillim të këtij viti.
Në qytetin e Dnipros, të paktën 12 persona humbën jetën dhe 36 u plagosën. Mes viktimave ishte edhe një efektiv i ekipeve të shpëtimit, i cili u vra gjatë një sulmi të dytë teksa ndodhej në vendngjarje për t’iu përgjigjur goditjes së parë. Gjashtë persona rezultojnë ende të zhdukur pas shembjes së një ndërtese katërkatëshe.
Në Kharkiv u plagosën të paktën 14 persona, ndërsa banesa, garazhe dhe automjete pësuan dëme të konsiderueshme. Në Kiev, autoritetet raportuan shembje të pjesshme të ndërtesave shumëkatëshe dhe persona të bllokuar nën rrënoja.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi se sulmet tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin po mbështetet gjithnjë e më shumë te terrori kundër civilëve.
“Putini është një kriminel lufte dhe një humbës që nuk ka asnjë kartë tjetër përveç terrorit. Moska po humbet në fushën e betejës. Asnjë numër raketash nuk mund ta ndryshojë këtë,” u shpreh ai.
Sulmi vjen pasi Rusia paralajmëroi javën e kaluar se do të kryente goditje sistematike ndaj objektivave ushtarake dhe qendrave të vendimmarrjes në Kiev, pas një sulmi ukrainas me dron në rajonin e pushtuar të Luhanskut.
