Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria dënon sulmin rus në Rumani: Përshkallëzim i papërgjegjshëm që rrezikon civilët përtej Ukrainës



Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmit rus me dron në qytetin Galați të Rumanisë, duke dënuar ashpër aktin që goditi një ndërtesë banimi dhe la të plagosur civilë, mes tyre edhe një të mitur.

Përmes një deklarate zyrtare, ministria shprehu solidaritetin e plotë të Shqipërisë me popullin dhe autoritetet rumune, ndërsa uroi shërim të shpejtë dhe të plotë për personat e plagosur nga sulmi.

Në reagim thuhet se incidenti përbën një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse, duke theksuar se lufta në Ukrainë po vijon të ketë pasoja të rënda humanitare dhe të kërcënojë sigurinë e civilëve edhe jashtë territorit ukrainas.

“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse dhe nënvizon më tej absurditetin dhe koston njerëzore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasojat e së cilës vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve përtej kufijve të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, në mbështetje të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës dhe për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.