Vendosni fjalën kyçe....

Kumbaro paralajmëron masa të rrepta për Maturën 2026: Celularët sjellin përjashtim nga provimi



Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka dhënë detaje mbi organizimin e Maturës Shtetërore 2026, vetëm pak ditë para nisjes së provimeve, duke paralajmëruar masa më të ashpra për garantimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë maturantët.

Në konferencën për mediat, Kumbaro bëri të ditur se përgatitjet për maturën kanë nisur që në dhjetor të vitit 2025, me miratimin e rregullores së re dhe publikimin online të modeleve të testeve për nxënësit.

Sipas saj, janë zhvilluar edhe testime provë në qendrat e provimeve, duke simuluar të njëjtat kushte që do të aplikohen gjatë provimeve zyrtare të datave 2, 9, 16 dhe 23 qershor.

Ministrja tha se në të gjithë vendin do të funksionojnë 144 qendra provimi dhe mbi 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit do të jenë të angazhuar në terren për mbarëvajtjen e procesit.

Kumbaro theksoi se këtë vit rregullorja është ashpërsuar, me përgjegjësi dhe sanksione të qarta për administratorët, përgjegjësit e qendrave dhe vetë maturantët.

Ajo paralajmëroi se përdorimi i celularëve, orëve inteligjente apo çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë provimit është rreptësisht i ndaluar dhe çdo shkelje do të sjellë përjashtim të menjëhershëm nga provimi.

“Çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi”, u shpreh ministrja, ndërsa u bëri thirrje nxënësve të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë vitet e tyre të shkollimit.

Në fund, Kumbaro kërkoi edhe bashkëpunimin e mediave për ndërgjegjësimin e maturantëve mbi respektimin e rregullave gjatë zhvillimit të provimeve.