
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump dhe Kongresit të SHBA-së, duke kërkuar më shumë municione amerikane për mbrojtjen ajrore përballë sulmeve në rritje me raketa balistike nga Rusia.
Zelenskyy i kërkoi Trump dhe Kongresit në një letër të furnizonin më shumë raketa Patriot PAC-3 dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, duke paralajmëruar se furnizimet për Ukrainën po bien në mënyrë të rrezikshme, ndërsa lufta e Iranit devijon rezervat amerikane .
Ukraina e ka rritur shkallën e përgjimit të dronëve në më shumë se 90%, thuhet në letër, dhe specialistët ukrainas kanë ndihmuar vendet në Lindjen e Mesme konkretisht rajonin arab të Gjirit të forcojnë mbrojtjen ajrore. Ata gjithashtu kanë ndihmuar në bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, thuhet në letër.
Por Ukraina ende nuk mund të prodhojë sistemet e veta të mbrojtjes nga raketat, tha Zelenskyy, dhe për këtë mbështetet “pothuajse ekskluzivisht te Shtetet e Bashkuara”.
Uashingtoni nuk e komentoi menjëherë letrën.
Armët amerikane që vendet evropiane dhe Kanadaja blejnë për t’ia dhuruar Ukrainës janë një komponent jetësor i mbrojtjes ajrore të vendit, por vetëm disa aleatë të NATO-s po investojnë shuma të konsiderueshme në këtë marrëveshje, thonë zyrtarët e aleancës, raporton AP.
Ndërkohë, ligjvënësit rusë kanë mbështetur një projektligj që parashikon përfshirjen e punonjësve të bankave në luftën kundër dronëve ukrainas me rreze të gjatë veprimi, duke i trajnuar ata për të rrëzuar mjetet ajrore pa pilot.
Zhvillimet vijnë pas përshkallëzimit të sulmeve ajrore nga të dyja palët në luftën më shumë se katërvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa fronti prej rreth 1,250 kilometrash ka mbetur kryesisht i pandryshuar.
Po ashtu, drejtuesja e agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ, Anne Keast-Butler, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin “po tërhiqet në fushën e betejës”, duke shtuar se rreth gjysmë milioni ushtarë rusë janë vrarë që nga nisja e konfliktit.