Vendosni fjalën kyçe....

SHBA kryen sulme të reja ndaj Iranit, Trump: Ose marrëveshje, ose do të mbarojmë punë


Ushtria amerikane ka njoftuar se ka kryer sulme të reja mbrojtëse ndaj objektivave iraniane, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Teherani po negocion “në kushte presioni”.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), forcat amerikane goditën katër dronë iranianë në afërsi të Ngushticës së Hormuzit, si dhe një stacion kontrolli në Bandar Abbas, nga ku po përgatitej lëshimi i një droni tjetër.

Sulmi i ri amerikan vjen në mes të armëpushimit të brishtë dhe negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund konfliktit disamujor dhe për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës, përcjell Euronews.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump deklaroi se SHBA-ja po bën përparim në negociata, por paralajmëroi se nëse bisedimet dështojnë, “do të duhet ta përfundojmë punën”.

“Ata duan shumë të arrijnë një marrëveshje. Deri tani nuk kemi arritur aty ku duam, por ose do të jemi të kënaqur me marrëveshjen, ose do ta përfundojmë punën”, tha Trump.

Ndërkohë, negociatat mbeten të ndërlikuara për shkak të mosmarrëveshjeve mbi rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar dhe konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Irani zotëron mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%, shumë pranë nivelit të nevojshëm për armë bërthamore.