Vendosni fjalën kyçe....

“30 ditë për të zgjidhur mosmarrëveshjet për aeroportin e Vlorës” – Karakaçi letër Pacollit e Ademit


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës i ka kërkuar zyrtarisht dy kompanive të përfshira në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës që të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, në mënyrë që të vijojë normalisht procesi i ndërtimit të veprës.

Pas një paralajmërimi publik të ministrit Enea Karakaçi, institucioni ka dërguar një shkresë zyrtare ku u kërkohet palëve që të arrijnë një zgjidhje brenda 30 ditëve, me qëllim garantimin e vijimësisë së punimeve dhe respektimin e afateve të projektit.

Në dokument theksohet se, në rast se konflikti nuk zgjidhet brenda këtij afati, ministria do t marrë masa në përputhje me kontratën dhe legjislacionin në fuqi, përfshirë edhe aplikimin e penaliteteve të parashikuara.

Paralelisht me zhvillimet administrative, çështja e aeroportit ka qenë objekt edhe i një procesi gjyqësor mes aksionerëve të projektit. Kompania “Mabco”, e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, ka fituar së fundmi në Gjykatën e Lartë, e cila rrëzoi padinë e “2A Group” të biznesmenit Valon Ademi dhe i njohu asaj kontrollin mbi çështjen e administrimit.

Më herët, gjykatat e shkallëve të para kishin vendosur masa të përkohshme në favor të “2A Group”, duke kufizuar disa të drejta të “Mabco”-s, ndërsa Apeli kishte vendosur kufizime të pjesshme në të drejtën e votës për vendime specifike.

Konflikti mes palëve është thelluar edhe pas një kontrate kredie prej 100 milionë eurosh të marrë nga “Mabco”, ç’ka ka çuar “2A Group” të kërkojë masa më të ashpra, përfshirë pezullimin e administrimit dhe përjashtimin e ortakut tjetër nga shoqëria.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka lënë të hapur edhe mundësinë e ndërhyrjeve kontraktuale, përfshirë prishjen e marrëveshjes koncesionare, nëse bllokimi mes aksionerëve vijon dhe pengon realizimin e projektit.