Vendosni fjalën kyçe....

35-vjetori i PS/ Rama në Korçë: Opozita dikur dhunohej, sot Shqipëria troket në derën e BE-së


Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, ka zhvilluar këtë të enjte një takim masiv me strukturat dhe mbështetësit socialistë në Qarkun e Korçës, me rastin e kremtimit të 35-vjetorit të themelimit të kësaj force politike.

Fjalimi i kreut të qeverisë u shkurtua ndjeshëm për shkak të reshjeve të shiut që nisën sapo ai u ngjit në podium.

Megjithatë, Rama shfrytëzoi koincidencën e datave për të bërë një krahasim historik dhe politik mes 26 majit të vitit 1996 dhe 26 majit të vitit 2026, duke e cilësuar ecurinë e vendit si një ndryshim epokal.

Rama u ndal gjerësisht te ngjarjet e vitit 1996, duke akuzuar udhëheqjen e atëhershme të Partisë Demokratike nën drejtimin e Sali Berishës për manipulim të paprecedent të votës dhe ushtrim të dhunës brutale shtetërore ndaj opozitës, përfshirë komisionerët dhe drejtuesit e PS-së.

“Nuk mundet dot të mos e përsëris që një koincidencë e madhe e bashkoi në një datë, 26 maji, dy momente shumë domethënëse të historisë së PS. 26 maji i ’96, kur socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe me një brutalitet që faktikisht vuri të gjithë shoqërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë. Ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm për të rinjtë apo shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik. Është e paimagjinueshme sot që Shqipëria, ku opozita dhunohej rregullisht, ku kishte vetëm një ekran, ekranin e RTSH-së, dhe në atë ekran nuk shfaqej asnjëherë opozita. Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozite, e cila edhe ajo u bë shkrumb e hi nga ai që ishte vërtet një regjim brutal,” – u shpreh Rama.

Në vijim të fjalës së tij, kryeministri bëri kontrastin me realitetin aktual, duke pretenduar se sot Shqipëria ndodhet në pozitat më të forta historike në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Dua ta lidh këtë 26 maj me 26 majin e shumë pak ditëve më parë, ku PS e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart në rrugën drejt majës që faktikisht është amaneti që kemi ndaj të parëve tanë, është borxhi që u kemi fëmijëve tanë; maja ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar…” – nënvizoi kreu i qeverisë.

Në mbyllje, Rama deklaroi se në këto tre dekada e gjysmë ekzistencë, Partia Socialiste ka vërtetuar se është e vetmja forcë që mbron në mënyrë të drejtë interesin kombëtar.

Ai e mbylli me një batetë rreth motit, duke u shprehur se shiu që detyroi ndërprerjen e hershme të fjalimit, në fakt simbolizon një “bereqet elektoral” për sfidën e ardhshme në zgjedhjet vendore të vitit 2027.