
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian e mbajtur në Bruksel.
Videoja e publikuar nga kryeministri shoqërohet me këngën “Per sempre sì” të Sal Da Vincit, një zgjedhje që lidhet simbolikisht me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në tekstin e këngës thuhet: “Do të jemi unë dhe ti të lidhur për gjithë jetën me njëri-tjetrin”, një mesazh që Rama e ka përdorur edhe më herët në retorikën e tij politike, duke e krahasuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian me një “martesë” mes palëve.
Pamjet nga Brukseli vijnë pas zhvillimeve të fundit në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, të cilat qeveria i konsideron si një hap të rëndësishëm përpara në rrugën europiane të vendit.