
Të shtunën në mbrëmje, në aeroportin e Bilbaos në Spanjë shpërthyen përplasje të dhunshme midis policisë dhe aktivistëve të flotiljes “Sumud” për Gazën, si dhe mbështetësve që ishin mbledhur për t’i pritur pas lirimit të tyre nga ndalimi në Izrael.
Katër persona u arrestuan gjatë përplasjeve në aeroportin e kryeqytetit të vendit bask të Spanjës. Pamjet nga vendngjarja treguan policinë lokale duke përdorur shkopinj gome ndaj aktivistëve.
Sipas raportimeve në mediat baske, një grup mbështetësish kishte pritur aktivistët e flotiljes, të cilët ishin kthyer pasi ishin ndaluar në Izrael. Raportet lokale thanë se policia kishte hapur një hetim nëse sjellja e oficerëve ishte në përputhje me procedurat.
Aktivistët mbërritën në Bilbao rreth orës 14:00 sipas kohës lokale. Sipas raportimeve, dhuna nisi pasi aktivistët dhe mbështetësit e tyre refuzuan kërkesat e policisë për të liruar kalimin.
Ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun nga partia Podemos, thuhet se ishte në aeroport për të pritur aktivistët e flotiljes.
Kryetarja e Podemos, Ione Belarra, e dënoi reagimin e policisë, duke thënë se aktivistët kishin rrezikuar jetën në flotilje dhe nuk duhet të ishin goditur.
EH Bildu, një parti nacionaliste e majtë baske, gjithashtu e dënoi ndërhyrjen policore, duke e quajtur dhunë të pajustifikuar ndaj një proteste solidariteti dhe duke kërkuar shpjegime nga ministri i sigurisë së vendit Bask. Partia kërkoi gjithashtu lirimin e të ndaluarve dhe fundin e asaj që e quajti armiqësi ndaj veprimeve të solidaritetit pro-palestinez, shkruan Ynet.
Ministria e Jashtme e Izraelit e ironizoi reagimin e policisë spanjolle dhe shpërndau pamje në X, duke thënë se përplasjet tregojnë se aktivistët e flotiljes sjellin provokim dhe çrregullim kudo që shkojnë.
Në një postim tjetër, ministria shpërndau pamje të përplasjeve midis policisë dhe aktivistëve të flotiljes edhe në Greqi, duke i paraqitur incidentet si dëshmi të kaosit që shoqëron këta aktivistë.