
Mos e mëshironi prostitutën. Në vend të kësaj, luftoni për të drejtat e saj.
Kjo është mantra më e re e të majtës kulturore, e cila i ka përqafuar njerëzit në tregtinë e seksit (shitësit, blerësit, tutorët) si një përbërës kyç të kauzës së tyre të përgjithshme.
Ato nuk shahen më si rrugaçe apo lavire, nuk vajtohen si gra pa moral apo nuk etiketohen si eskorta të klasit të lartë. Tashmë, “punonjësja e seksit”- një titull pune që tingëllon si krijim i një departamenti oruellian të Burimeve Njerëzore, por që konsiderohet nga shumë progresistë si termi më përfshirës dhe respektues – është një operatore e tregut të lirë si kushdo tjetër.
“Puna e seksit është punë,” thonë ata që e shohin prostitucionin si një formë zgjedhjeje, fuqizimi dhe autonomie trupore, të lidhur pazgjidhshmërisht me të drejtat e abortit, të drejtat e njeriut, avokimin për HIV/AIDS, të drejtat trans dhe lëvizjen më të gjerë të organizimit sindikal.
Nga ndarja e çmimeve Oscar e deri në TikTok e në seminaret e studimeve gjinore, çdo sugjerim se prostitucioni është diçka e turpshme, misogjene apo shtypëse, hidhet poshtë si moralizëm i tepruar, domen i “feministeve fundamentaliste” kundër seksit, i të djathtëve dhe i SWERF-ve (Feministet Radikale që Përjashtojnë Punonjëset e Seksit). Një kurs në UCLA e përshkruan atë si “punë erotike”. Në Universitetin Tufts, kursi “Seksi dhe Paraja: Antropologjia e Punës së Seksit” trajton “panikun moral rreth ‘skllavërisë së bardhë’ dhe ‘trafikimit të seksit'”.
Në një segment pasionant në vitin 2022, John Oliver deklaroi: “Puna e seksit është padyshim punë. Është një punë. Dhe njerëzit e bëjnë atë për të njëjtën arsye që bëjnë çdo punë tjetër,” duke e barazuar prostitucionin me bërjen e sanduiçeve në Subway. Në një episod të fundit të serialit “Hacks”, një grua më mirë do dilte me një punonjës seksi (në këtë rast një burrë) sesa me një magjistar me aspirata; ndërsa në serialin e ri të Apple TV+, “Margo’s Got Money Troubles”, OnlyFans shihet si një mënyrë krejtësisht e rregullt për të paguar faturat.
Ky riformësim ideologjik u shfaq në mënyrë më të zjarrtë në vitin 2025, kur Sean Baker, i cili fitoi Çmimin Oscar për filmin më të mirë me “Anora”, ia dedikoi çmimin e tij “komunitetit të punonjësve të seksit”. “Shpresa ime është që këto histori t’i humanizojnë punonjësit e seksit,” u tha ai audiencës disa muaj më parë në Festivalin e Filmit në Kanë. “Është një karrierë, një punë dhe një punë që duhet respektuar dhe, sipas mendimit tim, duhet të dekriminalizohet dhe të mos rregullohet në asnjë mënyrë.”
Siç u shpreh Bill Maher: “Kurvat po përjetojnë momentin e tyre të lavdisë.”

Çmimi i Akademisë për filmin më të mirë i vitit 2025 shkoi për filmin “Anora”, me Mikey Madison në rolin e një punonjëseje seksi nga Bruklini
Ashtu si teoritë e tjera të krahut të majtë, këto qëndrime duket se fluturuan nga asgjëja. Por, edhe brenda të majtës, ideja se puna e seksit është një zgjedhje karriere kundërshtohet ashpër.
Shumë liberalë, feministe dhe organizata kundër trafikimit e kundërshtojnë riformësimin e prostitucionit si një sipërmarrje çlirimtare, duke e parë atë si një sistem fillimisht shtypës—një tjetër mënyrë se si burrat me para dhe pushtet shfrytëzojnë më të cenuarit e shoqërisë. Në këndvështrimin e tyre, Jeffrey Epstein shërben si “Dëshmia A”.
Synimi i tyre është të ulin kërkesën për prostitucion duke forcuar ligjet kundër tutorëve dhe blerësve të seksit, ndërsa prostitutat të mos trajtohen si kriminele, por si viktima—një kuadër ky që quhet “Modeli Nordik” ose “Modeli i Barazisë”, ose ndryshe dekriminalizim i pjesshëm.
Në anën tjetër janë ata që argumentojnë për dekriminalizim të plotë, gjë që do shfuqizonte të gjitha ligjet që rregullojnë blerjen dhe shitjen e akteve seksuale.
Të dyja palët e dënojnë legalizimin, i cili ekziston në vende si Amsterdami dhe që vendos një sistem të rreptë rregullator—por për arsye shumë të ndryshme: të parët, sepse ai normalizon shfrytëzimin, dhe të dytët sepse ai kufizon tregtinë e lirë.
Për t’u përfshirë në këtë debat kërkohet të hysh në dy botëkuptime radikalisht të ndryshme. Secila palë ka grupin e vet të ekspertëve e të dhënave dhe citon “përvojën e jetuar”. Secila pretendon se qasja e saj rrit sigurinë, ndërsa pikëpamja e palës tjetër rëndon trafikimin dhe dhunën. Të dy kampet janë aq të ndarë në mënyrë të hidhur, saqë as nuk flasin të njëjtën gjuhë.
“Pse t’ua mohojmë grave të varfra këtë mundësi?”
Në moshën 17-vjeçare dhe ende në shkollë të mesme, Kaytlin Bailey filloi të punonte si shoqëruese (eskortë) me orar. Në terma ligjorë, kjo e bënte atë viktimë të trafikimit seksual, ku përfshihet kushdo që prostituohet nën moshën 18 vjeç. Por Bailey e shihte punën e saj si eksituese dhe fuqizuese. Në të 20-at e saj, ajo kaloi në “sugaring”—një model patronazhi ku një burrë më i pasur ofron mbështetje financiare, dhurata ose shërbime në ndryshim të shoqërimit dhe seksit.
“Burrat më të moshuar janë të dhënë pas, si të thuash, ndihmës së grave më të reja për të zgjidhur problemet e tyre financiare,” shpjegoi Bailey në podkastin e saj “Oldest Profession Podcast” në vitin 2017.
“As nuk të duhet të tregosh se je punonjëse seksi. Kjo është e gjithë ideja e ‘sugaring’. Ata nuk duan që ti të jesh profesioniste, por dua të them, ti je.”
Sot Bailey është themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e “Old Pros”, një organizatë jofitimprurëse që përdor tregimin e historive për të avokuar për të drejtat e punonjësve të seksit. Ajo ka një mendim të zymtë për ata që kundërshtojnë dekriminalizimin.

“Që nga fillimi i lëvizjes feministe, fatkeqësisht ka pasur një grup grash që duan të kontrollojnë zgjedhjet e grave të tjera,” tha Bailey, tani 39 vjeç, në një intervistë.
“Janë kryesisht gra të bardha, kryesisht të klasës së mesme… Ato shpesh bëjnë aleancë me organizata shoviniste, fetare dhe konservatore që besojnë se do të mbështesin të drejtat e tyre.”
Pikëpamjet e Bailey-t dikur do konsideroheshin të skajshme. Por ajo që filloi si një lëvizje radikale në vitin 1973 me një grup të quajtur COYOTE (Call Off Your Old Tired Ethics) dhe që më vonë shpërtheu përgjatë “luftërave të seksit” feministe të viteve ’80, përfundimisht fitoi një terren më të gjerë kulturor në vitet 2010. Një diskurs në rritje në akademi i përfshiu gjithnjë e më shumë punonjësit e seksit në valën e identiteteve të shtypura dhe të nënpërfaqësuara, shpesh të lidhura me ndërgjegjësimin dhe parandalimin e HIV-it, të drejtat e punës dhe çështjet LGBTQ.
Gjatë dekadave të ardhshme, një sërë grupesh të udhëhequra nga punonjësit e seksit në vendet në zhvillim u shfaqën dhe fituan mbështetjen e punonjësve të OJQ-ve, reformatorëve progresistë dhe filantropëve. Në vitin 2002, prostitucioni u legalizua në Gjermani dhe vitin e ardhshëm u dekriminalizua në Zelandën e Re. Human Rights Watch mbajti zyrtarisht një qëndrim duke e quajtur punën e seksit një të drejtë njerëzore në vitin 2014. Së shpejti ajo u ndoq nga një mori organizatash të tjera progresiste, përfshirë ACLU, Planned Parenthood dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Të gjithë duan t’i japin fund varfërisë, por ndërkohë pse t’u mohohet grave të varfra opsioni i punës vullnetare të seksit?” shkroi në Twitter në vitin 2015 Kenneth Roth, drejtor ekzekutive i HRW nga viti 1993 deri në 2022.
“Për mua, të drejtat e njeriut në thelb kanë të bëjnë me agjencinë njerëzore, të drejtën e vendimmarrjes,” tha Roth në një intervistë.
“Ka të bëjë me respektimin e individit për të bërë zgjedhjet e tij ose të saj sa më shumë që të jetë e mundur. Punonjësja e seksit mund të zgjedhë të bëjë punë seksi, ose mund të zgjedhë diçka tjetër.”
Ndërsa tradicionalisht organizatat e të drejtave të grave e shihnin prostitucionin si një formë të shfrytëzimit seksual tregtar dhe një krim abuzimi të rrënjosur në pushtetin mashkullor – në të njëjtën vijë me dhunën në familje, ngacmimin seksual dhe përdhunimin – ky kuadër i ri nënkuptonte që prostitutat nuk ishin viktima, ato ishin pioniere.
“Një punonjëse seksi shpjegon pse puna e seksit nuk duhet të jetë kurrë e paligjshme,” shkruhej në një titull në Refinery29 në vitin 2016, një faqebisedë e drejtuar nga gratë e brezit milenial (të lindurt mes viteve 1981 – 1996), duke qortuar personazhet e njohur të Hollywood-it si Anne Hathaway, Lena Dunham dhe Kate Winslet sepse kundërshtonin dekriminalizimin.
“Pse të drejtat e LGBT dhe të punonjësve të seksit shkojnë dorë për dore,” shpjegonte HuffPost po atë vit. “Pse puna e seksit është punë e vërtetë,” i thoshte Teen Vogue ndjekësve të saj të feminizmit të valës së tretë.

Këto pikëpamje kanë nxitur protesta të ashpra mes grupeve kundër trafikimit të seksit dhe shumë grupeve për të drejtat e grave. Kur Amnesty International përditësoi politikën e saj në vitin 2016 për ta konsideruar punën e seksit si një çështje të vullnetit personal dhe pëlqimit të nënkuptuar, mes kritikëve ishte edhe Jimmy Carter. Ata vunë në dukje dështimin historik të Amnesty-s për të aplikuar një këndvështrim gjinor, duke treguar vonesën e saj të gjatë për ta konsideruar gjymtimin gjenital femëror si një shkelje të të drejtave të njeriut. Në një deklaratë, Amnesty tha se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar.
“Historikisht, lëvizja për të drejtat e njeriut ka përjashtuar jetën reale të shumë grave duke supozuar se ‘puna e seksit’ ishte e pranueshme—sikur gratë që shesin trupin e tyre ta kishin zgjedhur këtë lirisht,” tha Gloria Steinem për The Journal në një deklaratë.
“Duket se ka ardhur koha që të ndahet ‘seksi’ nga ‘puna’.”
Në SHBA, modeli i dekriminalizimit është i lidhur me përpjekjet e krahut të majtë kundër policimit dhe burgosjes dhe në favor të legalizimit të marjuanës. Financimi vjen kryesisht nga organizata progresiste si Fondacioni Ford, Fondacioni Oak dhe Fondacioni Soros, i cili në vitin 2015 publikoi një raport me titull “Dhjetë arsye për të dekriminalizuar punën e seksit”. Midis viteve 2018 dhe 2023, Fondacioni Soros shpërndau 8.9 milionë dollarë përmes 97 granteve për të drejtat e punonjësve të seksit, dhe përmes një zëdhënësi tha se krenohet me “përparimin e të drejtave, shëndetit dhe dinjitetit të komuniteteve të margjinalizuara, përfshirë njerëzit e përfshirë në punën e seksit.”
MacKenzie Scott është fokusuar gjithashtu te dhuna seksuale dhe ajo me bazë gjinore, duke dhënë miliona për organizata të shumta që avokojnë për dekriminalizimin dhe mbështesin të drejtat e punonjësve të seksit. Në vitin 2022, për shembull, Scott dha 20 milionë dollarë dhe një grant tjetër të pazbuluar në vitin 2025 për Mama Cash, një organizatë jofitimprurëse, qëllimet e shumta të së cilës përfshijnë dekriminalizimin.
Në vitin 2019, kongresmenja Ayanna Pressley u bë anëtarja e parë e Kongresit që prezantoi një legjislacion që bënte thirrje për dekriminalizimin e plotë të prostitucionit. Avokimi për të drejtat e punonjësve të seksit është kthyer në një mënyrë për të vërtetuar bindjet progresiste të dikujt, dhe është pjesë e platformës partiake të Socialistëve Demokratë të Amerikës. Në ekstremet tjetër, Partia Libertariane gjithashtu mbështet dekriminalizimin si pjesë e besimit të saj te derregullimi. Vizioni bashkues është liria dhe zgjedhja.

Ava Kamdem
“Unë e përkufizoja veten si një eskortë e klasit të lartë”
Nëse do ta kishit pyetur Ava Kamdem nëse ishte një prostitutë gjatë tri viteve që kaloi duke kryer seks me pagesë me burra si pjesë e një rrjeti trafikimi të shkallës së gjerë, ajo do ishte tallur me këtë sugjerim.
“Unë e përkufizoja veten si një shoqëruese e klasit të lartë (high-end escort),” tha Kamdem, e cila tani është 30 vjeç dhe e diplomuar në vitin 2025 në Universitetin Columbia, në një intervistë. As punonjëse seksi?
“Nëse dikush do të më pyeste këtë, do t’i thosha: ‘Çfarë dreqin po thua?’ Nuk e kisha dëgjuar kurrë atë term në atë kohë.”
Blerësit e saj nuk kishin si ta dinin se ajo ishte viktimë e trafikimit.
“Ne ishim të stërvitura nga trafikanti ynë që nga dita e parë t’u thoshim blerësve: ‘Jam në këtë punë me zgjedhjen time. Nuk kam një trafikant. Nuk kam një tutor. Jam vetëm unë,'” tha ajo.
“Është një vello pas së cilës blerësve u pëlqen të fshihen.”
Ata burra mashtrojnë veten, thotë Kamdem tani. Përgjatë viteve, klientët e saj e rrahën dhe e përdhunuan vazhdimisht, i mbajtën armën në kokë dhe i kërcënuan jetën. (Të dhënat ndryshojnë, por midis 45% dhe 92% e prostitutave përjetojnë dhunë në punë). Edhe pse trafikanti i saj e sulmoi disa herë, ajo e shihte operacionin e trafikimit si diçka që ofronte një farë mbrojtjeje, tha ajo.
“Unë e perceptoja kërcënimin e vërtetë të ishte nga blerësit.”
Megjithëse prostitucioni është ende i paligjshëm në pjesën më të madhe të vendit, në pesë vitet e fundit, disa shtete kanë goditur më ashpër kërkesën. Kalifornia, Luiziana, Meini dhe Nju Hempshiri kanë rritur gjobat dhe dënimet për blerësit e seksit, ndërsa në Teksas, Montana, Oklahoma, Kanzas, Xhorxhia, Misuri dhe Karolina e Veriut, blerja e akteve seksuale është kthyer në një krim të rëndë që në shkeljen e parë. Sipas një analize nga “World Without Exploitation”, një grup kundër trafikimit, 20 shtete po shqyrtojnë aktualisht legjislacionin për të rritur dënimet për blerësit.
Në vitin 2023, Meini shkoi edhe më tej, duke u bërë shteti i parë që prezantoi Modelin Nordik, duke u mundësuar gjithashtu grave të dënuara më parë për shitje seksi që të fshinin dëshmitë e tyre penale.
Përpjekjet e fundit për të dekriminalizuar prostitucionin në SHBA kanë qenë më pak të suksesshme. Në mars, një masë e tillë u braktis në Kolorado një javë përpara se të hidhej në votim. Vitin e kaluar, projektligje të ngjashme në Masaçusets, Vermont, Rod Ajlend dhe Ilinois gjithashtu dështuan të kalonin.
Në Nju Jork, dy projektligje të kundërta – njëri që dekriminalizon prostitucionin, i cili u mbështet nga kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, kur ai ishte ende asamblist, dhe tjetri që zbaton Modelin Nordik – janë ende nën shqyrtim.
Senatorja e shtetit Liz Krueger, një demokrate dhe avokate e hershme e të drejtave të grave dhe LGBTQ, është kryqëzuar nga disa progresistë sepse mbështet projektligjin Nordik. Pasi ka dëgjuar nga njerëz të prostituuar për abuzimin, varësinë ndaj drogës dhe përdhunimet që ata pësuan, Krueger tha në një intervistë: “Si mund ta arsyetoja ndonjëherë mbështetjen e një sistemi që i detyronte njerëzit të bënin jetë kaq të tmerrshme?”

Thelbësore për Modelin Nordik, i cili tani zbatohet në Suedi, Islandë, Norvegji, Irlandën e Veriut, Kanada, Francë, Irlandë dhe Izrael, është krijimi i një strategjie dalëse për njerëzit e prostituuar. Në Francë, ku përfshihen shërbimet sociale për njerëzit që lënë tregtinë e seksit, të dhënat tregojnë se nga 2102 njerëz që kanë kaluar përmes një programi dalës që nga viti 2017, 91% e tyre tani janë të punësuar diku tjetër. Sipas ligjit të ri, 11491 burra janë gjobitur për blerjen e akteve seksuale deri në vitin 2025; midis viteve 2016 dhe 2023, 1243 burra u arrestuan për kryerjen e këtij akti me të mitur.
Avokatët e dekriminalizimit të plotë argumentojnë se heqja e ligjeve që rregullojnë dhe kriminalizojnë prostitucionin ndihmon në luftimin e trafikimit. Ata thonë se aksesi i lehtë në seksin komercial zvogëlon kërkesën për persona të trafikuar për seks dhe u mundëson punonjësve të seksit të ndihmojnë zbatimin e ligjit për të goditur trafikantët e seksit dhe aktorët e tjerë të këqij.
Në fakt, disa kërkime tregojnë se kur prostitucioni dekriminalizohet ose legalizohet, tregu zgjerohet, duke rritur si kërkesën ashtu edhe fluksin e trafikimit. Në Gjermani, turizmi i seksit ka shpërthyer, me rreth një milion burra që blejnë seks çdo ditë, duke ardhur nga e gjithë bota si turistë seksi – një rritje prej 30% e tregut. Berlini tani ka mbi 500 shtëpi publike. Rastet e trafikimit të seksit gjithashtu u rritën ndjeshëm në Gjermani pas legalizimit.
“Pyetja e rëndësishme nuk ka qenë kurrë nëse gratë kanë të drejtë të shesin trupin e tyre,” tha Yasmin Vafa, drejtoreshë ekzekutive e “Rights4Girls”, një grup avokimi.
“Ka qenë gjithmonë nëse burrat duhet të kenë të drejtën të përdorin vullnetin dhe privilegjet e tyre të mëdha – të cilat aktualisht janë të ekspozuara për t’u parë nga i gjithë vendi dhe bota – për të blerë akte seksi nga disa prej njerëzve më të cenuar në shoqërinë tonë.”
Bekah Charleston, 44 vjeç, u sulmua seksualisht në klasën e pestë, u përdhunua në moshën 14 vjeç dhe u trafikua në moshën 17 vjeç. Për dekadën e ardhshme, ajo punoi si person i trafikuar për seks dhe më pas në prostitucion.
“Ti nuk del në mënyrë magjike nga kjo gjendje kur mbush 18 vjeç,” tha Charleston, e cila tani është një avokate kundër trafikimit.
“Prostitucioni është dikush që përdor paratë dhe pushtetin e tij për të bërë dikë tjetër t’i ofrojë një shërbim. Ti do të thotë paguhesh për të qenë një produkt që përdoret dhe hidhet poshtë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal