Vendosni fjalën kyçe....

“Franca duhet të largohet nga struktura komanduese e NATO-s” – Le Pen


Udhëheqësja e së djathtës së ekstremit, Marine Le Pen, tha të premten se do ta tërhiqte Francën nga komanda e përbashkët ushtarake e NATO-s nëse zgjidhet presidente vitin e ardhshëm, një qëndrim ky që u hodh poshtë nga Ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot, i cili e cilësoi si “të papërgjegjshëm”.

Le Pen, kandidatura e së cilës për vitin 2027 varet nga vendimi i një gjykate apeli më vonë këtë vit, ka thënë prej kohësh se pjesëmarrja në strukturën komanduese dëmton pavarësinë e Francës. Ajo e përsëriti këtë pozicion për televizionin BFM TV, ndërsa ministrat e NATO-s po mblidheshin në Suedi.

“Ne duhet të tërhiqemi nga komanda e përbashkët e NATO-s. Ne duhet të mbetemi në NATO, por largimi nga komanda nuk e pengon ndërveprueshmërinë me forcat aleate,” tha ajo, duke kritikuar atë që e quajti varësi të Evropës nga vendimet e SHBA-së.

“Në realitet, ne jemi të varur nga vendimet e (Presidentit të SHBA-së) Donald Trump, gjë që është për të ardhur keq,” tha Le Pen, partia e së cilës, Tubimi Kombëtar (Rassemblement National), udhëheq në sondazhet e opinionit publik rreth një vit përpara zgjedhjeve presidenciale.

Komanda e Përbashkët Ushtarake e NATO-s është sistemi i përhershëm komandues i aleancës, i cili ka për qëllim të sigurojë që forcat ushtarake të 32 shteteve anëtare të mund të veprojnë shpejt si një forcë e vetme.

Kur mbërriti në takimin e NATO-s në Suedi, Barrot tha se duke qenë se Uashingtoni po rishikon nivelin e angazhimit të tij në Evropë, ishte më e rëndësishme se kurrë për Francën dhe partnerët e saj “të pohojnë vizionin e tyre, të zhvillojnë kapacitetet e tyre — shkurt, ta evropianizojnë NATO-n.”

“Thirrjet e disa figurave politike franceze për tërheqje nga NATO janë natyrisht të paarsyeshme dhe plotësisht të papërgjegjshme,” tha Barrot, duke shtuar se disa aleatë po “ngacmoheshin vazhdimisht nga agresioni rus” dhe do ta shihnin këtë veprim si një tradhti.

“Autonomia Strategjike”

Udhëheqësi i partizë Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella, një kandidat i mundshëm presidencial, mbajti një qëndrim më të kujdesshëm se Le Pen në mars, duke thënë se ai nuk do ta tërhiqte Francën nga komanda gjatë kohës së luftës.

Debati mbi NATO-n është i kamershëm në Francë, e cila tradicionalisht ka vlerësuar “autonominë strategjike”. Edhe Presidenti Emmanuel Macron ka thënë se Evropa duhet të reduktojë varësinë e saj nga SHBA-ja për sigurinë dhe mbrojtjen.

Ish-presidenti Charles de Gaulle u tërhoq nga komanda e përbashkët e NATO-s në vitin 1966, një lëvizje kjo që u përmbys në vitin 2009 gjatë presidencës së Nicolas Sarkozy-t.

Diplomatët thonë se një udhëheqje e ardhshme franceze që mund të mbajë një qëndrim më të distancuar ndaj strukturave të NATO-s është një perspektivë që do të vëzhgohej nga afër në kryeqytetet evropiane, të cilat tashmë janë të shqetësuara për angazhimin afatgjatë të Uashingtonit ndaj Evropës.

Shumica e blloqeve politike, duke përfshirë Tubimin Kombëtar, mbështetën rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në dhomën e ulët të parlamentit këtë javë, duke nënvizuar një përpjekje më të gjerë për të forcuar ushtrinë e Francës ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon, shkruan Reuters.