
Një ngjarje është regjistruar gjatë natës në zonën e hidrovorit të Akërnisë, ku persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin mjeteve të rënda që përdoren për punime në këtë zonë.
Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë hedhur benzinë mbi më shumë se 20 mjete të rënda të parkuara në një sipërfaqe pyjore dhe më pas kanë ndezur zjarrin.
Si pasojë e flakëve, një fadromë është djegur plotësisht, ndërsa ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës të Vlorës bëri të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së flakëve te mjetet e tjera.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se roja i objektit ndodhej në shërbim në momentin e ngjarjes dhe ka parë autorin ose autorët teksa hidhnin benzinën dhe i vinin flakën mjeteve.
Fatmirësisht, megjithëse benzina ishte hedhur mbi të gjitha mjetet, vetëm një prej tyre u përfshi totalisht nga flakët.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.