Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet izraelite vrasin pesë persona në Gazë, thonë mjekët


Sulmet izraelite vranë të paktën pesë palestinezë në Rripin e Gazës të dielën, njoftuan zyrtarët shëndetësorë, ndërkohë që përpjekjet për armëpushim që synojnë t’i japin fund luftimeve midis Izraelit dhe grupit militant të Hamasit po dështojnë.

Në javët që kanë kaluar që nga ndërprerja e bombardimeve të përbashkëta me SHBA-në në Iran, Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij në Gazë, ku Hamasi po shtrëngon kontrollin e tij, edhe pse trupat izraelite vazhdojnë të mbajnë nën kontroll më shumë se gjysmën e territorit.

Mjekët thanë se një sulm izraelit vrau një palestinez pranë një postblloku policie dhe një tjetër në një kamp me çadra në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Ushtria izraelite deklaroi se kishte vrarë një militant që përbënte një kërcënim të menjëhershëm për forcat në atë zonë.

Ndarazi, mjekët e Gazës thanë se një tjetër sulm ajror izraelit vrau të paktën tre persona në një kuzhinë komunitare pranë Spitalit Al-Aqsa në Deir Al-Balah, në zonën qendrore të Gazës. Ushtria izraelite nuk e komentoi menjëherë këtë incident.

Të shtunën, ushtria izraelite njoftoi se Izz al-Din al-Haddad, kreu i krahut të armatosur të Hamasit në Gazë, u vra në atë që ajo e përshkroi si një sulm preciz në qytetin e Gazës të premten, shkruan Reuters.

Hamasi e konfirmoi vdekjen e Haddad-it, por u mjaftua me aq duke mos kërcënuar për hakmarrje.