
Kryeministrja italiane Gorgia Meloni ka deklaruar se “Deklarata e Kishinaut”, e miratuar nga 46 shtetet anëtare të Këshilli i Europës, njeh të drejtën e vendeve për të zbatuar zgjidhje të reja për menaxhimin e emigracionit, përfshirë qendrat e riatdhesimit në vende të treta sipas modelit Itali-Shqipëri.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Meloni e cilësoi këtë si një “rezultat të rëndësishëm”, duke theksuar se Italia ka kontribuar në hapjen e kësaj rruge së bashku me kryeministren daneze, Mette Frederiksen.
Sipas saj, ajo që një vit më parë ishte objekt debati, tashmë është kthyer në një parim të përbashkët të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Meloni shtoi se qasja italiane për menaxhimin e rregullt të flukseve migratore është bërë tashmë edhe qasja e Europës.
“Deklarata e Kishinaut, e miratuar nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës, njeh legjitimitetin e kombeve për të përdorur zgjidhje inovative në menaxhimin e flukseve migratore, siç janë qendrat e riatdhesimit në vende të treta, sipas modelit të nisur nga Italia në Shqipëri.
Ky është një rezultat i rëndësishëm, fryt i një rruge që Italia ka kontribuar ta hapë me guxim dhe vendosmëri së bashku me kryeministren daneze, Frederiksen.
Ajo që vetëm një vit më parë ishte objekt debati, sot është shndërruar në një parim të përbashkët mes 46 shteteve anëtare të Këshillit të Europës dhe tregon edhe një herë se qasja italiane për një menaxhim të rregullt të flukseve migratore, e ndjekur me seriozitet dhe qëndrueshmëri nga qeveria jonë, tashmë është bërë edhe qasja e Europës”, u shpreh Meloni.