Emiratet e Bashkuara Arabe tentuan të bindnin Arabinë Saudite dhe Katarin që t’i bashkoheshin një përgjigjeje të koordinuar ushtarake kundër Iranit në fillim të luftës, por përpjekja dështoi pasi vendet e tjera të Gjirit refuzuan të përfshiheshin, raportoi Bloomberg, duke cituar burime të njohura me zhvillimet, përcjell Ynet.
Sipas raportit, presidenti i Emirateve, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, i njohur si MBZ, zhvilloi telefonata me liderë rajonalë, përfshirë princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman, menjëherë pasi SHBA-ja dhe Irani hynë në luftë më 28 shkurt.
Gjatë bisedimeve, MBZ u kujtoi liderëve të Gjirit se Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit ishte krijuar në vitin 1981 pikërisht si reagim ndaj kërcënimeve iraniane pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Raporti thotë se presidenti i Emirateve besonte se vendet e Gjirit duhej të reagonin si një bllok i bashkuar dhe të bashkëpunonin me SHBA-në dhe Izraelin për të frenuar Iranin. Megjithatë, homologët e tij i thanë se kjo “nuk ishte lufta e tyre”.
Refuzimi, sipas Bloomberg, thelloi tensionet ekzistuese mes Abu Dhabit dhe Riadit dhe ndihmoi në afrimin e Emirateve me Izraelin. Raporti lidh gjithashtu këtë përplasje me vendimin e Emirateve në fund të prillit për t’u larguar nga OPEC-u.
Megjithëse nuk morën mbështetje nga fqinjët, Emiratet kryen disa sulme të kufizuara kundër Iranit në fillim të marsit dhe më pas në prill.
Arabia Saudite, sipas raportit, kreu goditje ndaj Iranit në mars, por më pas u orientua drejt mbështetjes së ndërmjetësimit pakistanez mes Uashingtonit dhe Teheranit. Zyrtarët emiratas mbetën të pakënaqur pasi, sipas tyre, nuk informoheshin mjaftueshëm për përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Pakistani.
Ndërkohë, Katari shqyrtoi mundësinë e një reagimi ushtarak pasi Irani sulmoi qytetin industrial Ras Laffan në mesin e marsit, ku ndodhet një nga terminalet më të mëdha të gazit të lëngshëm në botë. Megjithatë, Doha vendosi të mos ndërmarrë veprime ushtarake dhe të fokusohet te përpjekjet për uljen e tensioneve.
Bahrejni dhe Kuvajti qëndruan jashtë përplasjes, ndërsa Omani, për shkak të marrëdhënieve më të afërta me Iranin, nuk u konsiderua si kandidat realist për t’iu bashkuar sulmeve hakmarrëse.
Një nga burimet tha se administrata Trump ishte në dijeni të diskutimeve të udhëhequra nga Emiratet dhe dëshironte që Arabia Saudite dhe Katari të merrnin pjesë në një përgjigje të koordinuar ushtarake.
Sipas raportit, të tre shtetet e Gjirit kishin tentuar më herët ta bindnin Donald Trump të mos hynte në luftë, nga frika se Irani do të sulmonte bazat amerikane dhe objektivat në territorin e tyre.
