Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali-Berishës: Je garantuesi i këtij sistemi


Seanca e sotme plenare në Kuvend është shoqëruar me debate të ashpra dhe tone ironike mes Sali Berishës dhe deputetes socialiste Elisa Spiropali. Shkëndija e parë erdhi nga Berisha, i cili përdori krahasimet e dikurshme të Spiropalit për kryeministrin Rama për ta sulmuar atë personalisht.

Berisha hodhi pikëpyetje mbi raportet e brendshme në mazhorancë, duke ironizuar pozicionin e Spiropalit në raport me Edi Ramën.

“Ti e quan Skënderbe dhe ai të flak. Si ka mundësi që ajo  e quan Pallosh i Gjatë dhe ai bën gjithçka për ta mbrojtur? Cila është arsyeja?” tha Berisha nga foltorja.

Përgjigjja e Spiropalit ishte e menjëhershme, duke u fokusuar te pozita politike e Berishës dhe mungesa e besueshmërisë së tij sipas saj, për shkak të qëndrimit të tij të dyfishtë ndaj sistemit aktual.

“Sali, je i pabesueshëm sepse njëkohësisht je edhe denoncuesi më i madh, edhe garantuesi më i madh i sistemit. Kur të çlirosh sistemin, kur të çlirosh partinë, opozitën, mund të flasim këtu dhe ndoshta termat ‘doktor’ do të të ngjisin më shumë,” u shpreh Spiropali.

Ajo shtoi se kjo kontradiktë mes denoncimit dhe mbajtjes gjallë të sistemit është arsyeja pse qytetarët nuk e besojnë më kauzën e tij. Sipas Spiropalit, Berisha duhet fillimisht të reformojë partinë e tij përpara se të kërkojë llogari për emërtimet dhe vlerësimet brenda kampit socialist.