Gjatë seancës parlamentare për votimin e rezolutës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, konfirmoi mbështetjen e opozitës për këtë proces, por nuk kurseu kritikat ndaj mazhorancës.
Sipas Vokshit, edhe pse dokumenti u miratua, mbetet dyshimi nëse qeveria ka vullnetin e vërtetë për t’i zbatuar reformat në praktikë.
Vokshi theksoi se për opozitën, anëtarësimi në BE mbetet rruga e vetme, por kërkoi që ky proces të mos jetë thjesht formal, por i bazuar në meritokraci.
“PD dhe forcat politike aleate kanë qenë dhe vijojnë të mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ne besojmë fuqimisht që procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në meritë dhe reforma të vërteta. Sot ritheksuam edhe njëherë rrugën e vetme të mundshme për të ardhmen e vendit.”
Deputetja demokrate u shpreh se reflektimi i mazhorancës në tekstin e rezolutës erdhi si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve dhe rezistencës së opozitës, por shprehu skepticizëm të thellë për ecurinë e mëtejshme.
“Pavarësisht miratimit, personalisht jam skeptike. Pavarësisht se është një hap pozitiv dhe mazhoranca ka reflektuar nga vërejtjet e ndërkombëtarëve apo rezistenca e opozitës, kam skepticizëm nëse do të zbatohet në çdo pikë të saj.”
Kjo lëvizje e opozitës për të votuar pro rezolutës tregon një lloj “armëpushimi” për sa i përket interesit kombëtar në Bruksel, ndonëse tensionet e brendshme mbeten të larta.
